E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 5 mijë familje të pastreha, 400 apartamente bosh në Shkozë

Kryetari Basha harron të mbledh Këshillin Bashkiak, mbledhja e fundit ka qenë në prill

keshilli bashkiak Në një kohë kur Tirana numëron mbi 5 mijë familje të pastreha, 400 apartamentet e përfunduara në Shkozë janë lënë bosh. Mbi 2 mijë familje mund të ishin strehuar në këto pallate, por Bashkia e Tiranës e ka lënë në harresë kategorinë e personave të pastrehë.

Situata

Një pjesë e familje që kanë aplikuar për shtëpi në Bashki kanë vitet të tëra që presin, duke u endur nëpër shtëpi me qira me fëmijë, të moshuar, e plaçka nëpër duar, pa gjetur një zgjidhje përfundimtare. Një nga kategoritë sociale më të diskriminuara për këtë problematikë është edhe komuniteti rom, një pjesë e të cilit po endet rrugëve të kryeqytetit prej më shumë se një muaj, pa asnjë mundësi strehimi. Edhe ato barake që kishin mundur të ndërtonin ua prishën dhe i përzunë.

Të pastrehët

Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Tiranës janë mbi 5000 familje të cilat kanë aplikuar për këto banesa dhe shumë pak prej tyre kanë përfituar nga strehimi social. Ndërkohë sipas këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak, numri i familjeve që kërkojnë strehim e kalon shifrën 5 mijë. Ndërkohë lidhur me këtë çështje autoritetet përkatëse të Bashkisë, të kontaktuar nga media nuk pranojnë të prononcohen.

Këshilli Bashkiak

Sipas ligjit për qeverisjen vendore, parashikohet që problemet e qytetarëve me strehimin social duhet të zgjidhen nëpërmjet një plan veprimi në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, mbledhja e të cilit po vonohet prej kohësh për shkak të konfliktit politik që prej muajit maj. Në zonën e Shkozës 400 apartamente qëndrojnë të pashfrytëzuar, të cilat me një llogaritje të thjeshtë mund të shërbejnë për strehimin e të paktën 2000 personave. Çështja e strehimit social ka qenë edhe një nga çështjet e trajtuara nga Avokati i Popullit, institucion i cili ka bërë thirrje të herëpashershme për zgjidhjen e këtij problemi.

Fenomenet pa zgjidhje

Data e mbledhjes së ardhshme në Këshillin Bashkiak nuk është bërë ende publike, ndërkohë që kryetari i Bashkisë Lulzim Basha për mbledhjen e Këshillit, ka thënë që do të zhvillohet kur të kërkohet në mënyrë të ligjshme, duke nënkuptuar si të parregullt zgjedhjen e Aldrin Dalipit në krye të Këshillit Bashkiak në muajin maj me votat e këshilltarëve të majtë. Detyrën e tij si kryebashkiak duket se Basha e ka lënë shumë pas dore kohët e fundit. Që nga muaji maj kur nisi edhe fushata e zgjedhjeve të 23  qershorit, si dhe më pas gara për kreun e ri të PD-së, problemet e Bashkisë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me vetë shqetësimet e qytetarëve janë lënë në harresë. Strehimi është një ndër këto probleme, për të mos folur më pas për kompensimin, punësimin apo ndërtimet pa leje, fenomene që duhet të marrin zgjidhje nga Bashkia e Tiranës.

*****

Tiranë, si aplikohet për të përfituar strehim

Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që tërhiqet në Njësinë Bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular plotësohet me vërtetësi dhe më pas noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në bazën e të dhënave elektronike të drejtorisë. Më pas, dosjet e grumbulluara i kalojnë komisionit të strehimit i cili verifikon në mënyrë të detajuar të gjitha kriteret që plotësojnë familjet aplikuese. Në rastet kur përmbushen kriteret e detajuara, mblidhen pikët e secilës kategori dhe përcaktohet nëse familja do të përfitojë duke u përfshirë në listën që i dërgohet më pas për miratim Këshillit Bashkiak të Tiranës në një nga mbledhjet e radhës. Bazuar në kuadrin ligjor të mësipërm, me Vendim të Këshillit Bashkiak pranë Bashkisë Tiranë është ngritur një Komision Strehimi si organ këshillimor për të gjitha problemet dhe veçantitë që paraqet kjo fushë.

 

***

Këshilli Bashkiak , 5 muaj pa u mbledhur

Këshilli Bashkiak i kryeqytetit ka 5 muaj që nuk mblidhet.  Edhe pse sipas ligjit në fuqi parashikohet mbledhja e tij çdo muaj, që prej 9 prillit mbledhjet kanë munguar. Ndërkohë, që kërkesat e qytetarëve depozitohen pranë njësive bashkiake dhe shqyrtohen nga komisionet përkatëse duke marrë përgjigjen përfundimtare, ato mbeten pa kaluar në Këshill i cili i hap rrugën përfundimtare zgjidhjes së tyre. Shkak për ngrirjen e tij është bërë dalja e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeveritar që si pasojë ka prishur edhe numrat në këshill. Duke mos pritur mbledhjen normale të tij, anëtarët socialistë dhe të LSI-së zhvilluan një mbledheje në muajin Maj duke e pretenduar ligjshmërinë e saj,  ku shkarkuan kryetarin e Këshillit, Njazi Kosovrasti dhe zgjodhën në vendin e tij, kreun e socialistëve në Këshill, Aldrin Dalipin. Por megjithëse të majtët premtuan se shumë shpejt do të kishte një mbledhje të Këshillit, gjithçka është lënë në heshtje. Ndërsa i pyetur nga media kreu i Bashkisë, Lulzim Basha tha pak ditë më parë se Këshilli do të mblidhet kur të ketë kërkesë të ligjshme. Aktualisht, çështja është në Prokurorinë e Tiranës pasi Bashkia në muajin maj, ka bërë kallëzim penal ndaj disa këshilltarëve socialistë me akuzën shkatërrim i pronës dhe kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo shërbim publik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›