Tiranë-Elbasan, parashikohet të kalojnë 11 mijë mjete në ditë
“Autostrada e re që do të ndërtojë qeveria, shkurton distancën 32 kilometra që lidh Tiranën me Elbasanin.Rëndësia e këtij aksi është madhore në zhvillimin rajonal të vendit”. Kështu u shpreh dy ditë më parë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas tij nëse koha mesatare e udhëtimit është 1 orë, pas përfundimit të projektit, do të jetë 15 minuta. “Impaktet janë shumë të madhë në të gjitha drejtimet, sepse në radhë të parë ne nisemi duke kalkuluar vlerat e trafikut. Janë rreth 11 mijë mjete që ne parashikojmë të udhëtojnë në ditë në këtë autostradë”,tha Olldashi. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë mbledhjes së takimit të radhës që zhvilloi “Forumi për liri ekonomike” dhe Universiteti Europian i Tiranës, në kuadër të projektit që po zhvillon në drejtim të zhvillimit rajonal në disa qytete të mëdha të vendit. Në Elbasan takimi u mbajt në Universitetin e Elbasanit, ku merrnin pjesë rektori i këtij Universiteti, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, si dhe përfaqësuesit e Prefekturës së Këshillit të Qarkut të Elbasanit. Në fokus të këtij takimi ishte impakti që do të ketë rruga Tiranë-Elbasan, në punësim, për zhvillimin rajonal, për zhvillimin territorial për biznesin, për afrimin dhe rrëzimin e barriera të tregjeve, për qarkullimin e kapitalëve, për qarkullimin e intelektualëve. Nga sa u bë me dije, qeveria shqiptare ka vënë dispozicion fondin e zhvillimit rajonal. “Ky fond është financuar nga qeveria, me 20 milion euro, edhe pse nuk është një fond shumë i madh. Elbasani radhitet i dyti për nga rëndësia, pas Tiranës e cila ka 15 % të fondit, ndërsa Elbasani ka 11 % të fondit dhe të gjithë të tjerët vijnë më poshtë”,tha Nevila Xhindi. Ndërsa kandidati PD për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, theksoi se gjithçka që lidhet me zhvillimet e 4 viteve të ardhshme të Elbasanit, nuk mund të shkëputet nga impakti që do të ketë kjo rrugë e re. “Pavarësisht se ne kemi bërë një program, i cili është shumë i mirë, pavarësisht faktit se Elbasani ka shansin sot të ketë dy programe, një program qeveritar për elbasanasit dhe një program të kandidatit për elbasanasit, për mua është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë të gjithë se impaktet e jashtëzakonshme që sjell kjo rrugë për jetën e Elbasanit, nuk pretendoj që në programin tonë të jenë të zgjidhura realisht 100%. “, tha Hushi.
Prefekti: Rruga është sfidë për Elbasanin
“Një pjesë e madhe e njerëzve e shohin si një rrugë e cila do të jetë më e shkurtër, por kjo është më shumë sesa kaq. Ky do të bëjë një zhvillim të jashtëzakonshëm për Elbasanin, do ta bëj një me Tiranën, ky zhvillim do të jetë në dy aspekte: në tregun e lirë dhe në konferencën e lirë.”, tha gjatë forumit prefekti i qarkut të Tiranës, Shefqet Delialliasi. Ai shtoi se ndërtimi i saj është një sfidë dhe Elbasani i ka të gjitha kapacitetet intelektuale, ekonomike, kulturore që ta fitoj këtë sfidë. “Aq me tepër, shpresoj që Elbasani të drejtohet nga njerëz vizionarë, që shohin më shumë se rajoni, që njohin më mirë zhvillimin dhe kanë aftësi intelektuale të mëdha për të drejtuar qytetin.”, tha Delialliasi. Sipas tij, takime të tilla janë mjaft të rëndësishme për zhvillimin e qytetit.
Rektori: Do zhvillohet edhe universiteti
“Të nderuar kolegë, gjej rastin për të shprehur falënderimet e përzemërta që organizatorët apo drejtuesit e këtij forumi përzgjodhën pikërisht Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, për të promovuar impaktet e mundshme, si dhe mundësinë e zhvillimeve social-ekonomike të qytetit të Elbasanit”, u shpreh rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi. Ai shtoi se përfundimi i rrugës është investimi më madhor i bërë ndonjëherë për qytetin e Elbasanit. “Unë këtu nuk jam për t’u ndalur në konceptet klasike të ekonomisë, pasi ato i vlerësojnë specialistët në mënyrë që të shpalosen cilët janë treguesit për impaktin e rëndësishëm që do të sjellë kjo rrugë, pasi dihet tashmë se një transport eficient jep si rrjedhojë të drejtpërdrejtë një ekonomi shumë produktive”, tha rektori i Universitetit.
ZIRINA LLAMBRO