Tiranë/ Furnizimi me ujë gjatë verës, UKT nis aksionin për të shmangur shpërdorimin

Shirat e kohëve të fundit kanë mbushur basenet që furnizojnë Tiranën me ujë rrjeti. Megjithatë menaxhimi i këtij shërbimi gjatë muajve të nxehtë nuk do të jetë i lehtë.
Ndaj Ujësjellësi i Tiranës do të ketë një aksion për shmangien e shpërdorimit të ujit.
“Në muajin korrik do të nisim kontrolle tek familjarët dhe bizneset dhe në rast të konstatimit të shpërdorimit të ujit do të marrin masa, duke nisur nga gjobat“, tha Elton Kacidhja, Drejtor i Përgjithshëm i UKT.
Gjate muajve të thatë, Tirana, e rritur për nga numri i banorëve, por edhe e zgjeruar në territor ka vështirësi në furnizimin me ujë.
Projekti që pritet të nisë në fund të kësaj vere, ku parashikohen 3 investime të rëndësishme, ndërtimi i unazës së presionit, ndarja në minizona dhe shfrytëzimi i një burimi të ri në gur të bardhë, pritet të sigurojnë furnizim 24 orë.
Ky projekt financohet nga BERZH me një fond prej 80 milion eurosh. Aktualisht, sipas drejtorit të UKT-së, Elton Kacidhja, Tirana furnizohet mesatarisht 15-17 orë në ditë me ujë rrjeti.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh/