E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirane, MPJ mbështet rezolutën e PE-së

Ministria e Punëve të Jashtme bashkohet me inkurajimin e Parlamentit Europain për njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”. 

TIRANE- Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti dje miratimin nga Parlamenti Evropian të Rezolutës për Kosovën dhe e konsideron atë “një dokument të rëndësishëm në mbështetje të perspektivës europiane të saj dhe të gjithë rajonit, si dhe një shprehje e qartë e rikonfirmimit të përkushtimit ndaj respektimit të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.- shkruhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë dje për median.

“Ministria e Punëve të Jashtme ndan të njëjtin mendim me parlamentarët europianë për shtrirjen e sukseshme të EULEX-it, në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e saj, në funksion të garantimit të shtetit ligjor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj, duke e konsideruar atë një garanci më tepër për paqen dhe stabilitetin rajonal”- vazhdon më tej deklarata.

Më tej Ministria e Punëve të Jashtme inkurajon Qeverinë e Kosovës për vazhdimin e zbatimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila garanton që çdo banor i saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, ta ndiejë veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij.

”Ministria e Punëve të Jashtme i bashkohet fuqimisht thirrjes së Parlamentit Europian ndaj Beogradit që t’i japë fund mbështetjes së strukturave paralele, të luajë rol konstruktiv dhe të bashkëpunojë me EULEX-in.”- mbyllet deklarata e ministrisë së Jashtme e cila “bashkohet me inkurajimin e Parlamentit Europain për njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›