E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Washington, sot takon Hillari Klinton

Kryeministri pak ditë më parë i bëri një ftesë për në Shqipëri Bill Klintonit, ish-presidentit amerikan që njihet ndër shqiptarët si hero për shkak të vendimit të tij për të bombarduar Serbinë pas konfliktit të ashpër me kosovarët. 

WASHINGTON- Kryeministri shqiptar Sali Berisha i cili ndodhet në SHBA, pritet të takohet sot me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.

Kreu i qeverisë shqiptare i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha dhe ish- ministri i Mbrojtjes, njëkohësisht kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu morën pjesë dje në ceremoninë e “Mëngjesit të Lutjeve”. Kjo ceremoni zhvillohet cdo vit në Washington dhe në të marrin pjesë presidenti amerikan, Barak Obama, administrata e tij, kongresmenë si dhe liderë botërorë.

Kryeministri pak ditë më parë i bëri një ftesë për në Shqipëri Bill Klintonit, ish-presidentit amerikan që njihet ndër shqiptarët si hero për shkak të vendimit të tij për të bombarduar Serbinë pas konfliktit të ashpër me kosovarët

Gjatë ditës së djeshme, zyra për shtyp e kryeministrisë njofton se Berisha është takuar me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, i njohur si mbrojtës i flaktë i çështjes shqiptare dhe asaj kosovare në Kongresin amerikan.

Gjatë takimit mësohet se Kryeministri Berisha e ftoi menjëherë Biden në Shqipëri për një vizitë zyrtare, që sipas njoftimit nga kryeministria, është pranuar me kënaqësi nga Biden. Ai gjithashtu ka siguruar Berishën se “do ta mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese”. Gjatë ditës së djeshme kryeministri pati takime edhe me spikerin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, ish-kandidatin për president, Xhon Mekkein, zëvendëssekretarin e shtetit të Mbrojtjes, England dhe ish-sekretarin e Mbrojtjes, Rumsfeld.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›