Tiranë/ Vodhi targat e 12 automjeteve për t’i shitur jashtë Shqipërisë, në pranga 23-vjeçari

Një i ri ka rënë në pranga të policisë pasi vidhte targa të shteteve të ndryshme të makinave në kryeqytet me qëllim shitjen jashtë vendit, për veprimtari kriminale.
Ai u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti, në rrugën “Misto Mame” në kryeqytet, ndërsa një ditë më parë kishte vjedhur targat e 11 automjeteve.
Në pranga ra 23-vjeçari J. L., banues në Pogradec, i cili sipas njoftimit të policisë ishte i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.
“Si rezultat, u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti, në “Misto Mame”, dhe u vu në pranga, shtetasi J. L., 23 vjeç, banues në Pogradec, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, po gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit”, njofton policia.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 12 targa të shteteve të ndryshme të vjedhura, doreza dhe mjete të cilat 23-vjeçari i përdorte për të kryer vjedhjet.
Vijon puna për dukumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/rtsh.al/