Tiranë e Durrës/ Në 7 qendra votimi prani të personave të paautorizuar, Celibashi: Të largohen menjëherë!

Kryetari i KQZ –së shprehu shqetësimin për praninë e personave të paaturizuar në qendrat e votimit kryesisht në Tiranë e Durrës.
“Ky është intimidim dhe presion ndaj votuesve” tha Celibashi duke i kërkuar policisë së shtetit, Komisioni Zonal Zgjedhor dhe QV të adresojnë shqetësimin.
“Është e papranueshme që qytetarë që nuk kanë lidhje, të vijojnë të qëndrojnë në ambientet e brendshme ku votohet. Do të duhet të boshatisen menjëherë. Çdo kush që refuzon ti përgjigjet urdhrit të mbajë përgjegjësi. Kush ka votuar të largohet” tha Celibashi.
Deri tani flitet për 7 qendra votimi në Tiranë e Durrës ku ka prezencë të militantëve.
“Denoncimet më të mëdha kanë ardhur në Durrës dhe Tiranë. Denoncimet kanë ardhur nga “Bashkë Fitojmë” por dhe vëzhguesit e tyre. Kryesisht në 7 QV Tiranë e Durrës. Nuk kemi asnjë mundësi të dijmë se cilën parti përfaqësojnë. Por ata që nuk kanë punë në ambientet e qendrave të votimit apo ku janë vendosur qendrat e votimit duhet të largohen menjëherë dhe kush ka përdetyrë ta bëjë duhet ta bëjë menjëherë,” tha Celibashi në një dalje për medien në orën 13:00.
Adresimi publik i Celibashit ishte për partitë politike dhe mbështetësit e saj.
“Adresimi publik i këtij shqetësimi nuk ishte thirrje për policinë për të vepruar sesa për ta bërë publik këtë fenomen. Ne këtë shqetësim e kemi përcjellë dhe jemi në komunik me policinë. Ky shqetësim i adresohet partive politike dhe mbështetësve të tyre që janë vërdallë në këto ambiente” tha Celibashi.
A cënohet procesi nga rastet që janë denoncuar?
Ilirjan Celibashi: “Të paktën formalisht numri i denoncime për persona që rrinë pa shkak të përligjur nëpër qendra votimi është i lartë. Por as ju dhe askush tjetër nuk mund të thotë çfarë impakti ka ky element në integritetin e procesit zgjedhor dhe në finalen e këtij procesi. Do të preferoja që gjithsecili prej nesh jo duke shtrembëruar të vërtetën, të përcjellë ato problematika që kanë vërtet nevojë të adresohen.”
/rtsh.al/