E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombinat, gjendet i vdekur nën gërmadha, 22-vjeçari

Të tjera rreth shkrimit Galeri fotosh nga vendngjarja TIRANE - Gjendet i vdekur 22-vjeçari Metush Rama, që mbeti nën gërmadhat e ndërtesës 3-katëshe në zonën e TEC-it në Kombinat. Kërkimet për trupin e tij filluan me rreth 3 orë vonesë, për shkak të mungesës së ekskavatorëve në gjendje pune. Trupi i tij u zbulua në më pak se një orë pas nisjes së kërkimeve.

"Dëgjuam të bërtitura!" Janë këto deklarata të banorëve të cilat kanë vënë në lëvizje uniformat blu për të filluar kërkimet dhe për të zbuluar nëse vërtetë shembja e banesës ka zënë poshtë një person.

Sipas dëshmive të marra, policia ka mundur të identifikojë personin në fjalë, po për shkak se nuk është e konfirmuar nëse ai mund të jetë nën gërmadhë, nuk bën të ditur emrin e tij, përveçse deklaron se është një i ri rreth 22 vjeç.

Familjarët e personit që ka qenë duke punuar më parë, pasi janë njoftuar nga policia kanë shkuar në vendngjarje, pasi i afërmi i tyre nuk i është përgjigjur në telefon.Ata i kanë përforcuar dyshimet pasi prej orësh nuk kanë asnjë kontakt me të afërmin e tyre.

I riu në fjalë ka qenë duke punuar me matrapik për shkëputjen e hekurit nga pjesët e kësaj ndërtese, të cilat mund të shiten për skrap në pika të caktuara të grumbullimit të tyre. Dyshohet që punimet me matrapik të kenë shkaktuar edhe shembjen e banesës.

Ora 19:08 Gazetari Rusta njofton se ekskavatori, vetëm para 30 minutash, ka nisur punën për të larguar gërmadhat që janë shembur rreth 3 orë më parë. Duhet thënë se ekskavatorët e mëparshëm nuk kanë arritur të hyjnë në zonë. Vështirësia po rritet edhe nga errësira edhe nga shembja e mundshme e pjesës tjetër të ndërtesës. Gjithsesi, janë instaluar prozhektorët dhe do të punohet edhe gjatë natës.

Mësohet se babai i Metush Ramës, edhe pse i pamundur, është bërë edhe vetë pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit.Qytetarët janë të irrituar nga vonesa e punës, aq sa shprehen se më shpejt kanë ardhur ata nga Kukësi sesa ekskavatori nga Tirana.

Ora 19:45 Lokalizohet dhe gjendet i vdekur 22-vjeçari.

Redaksia Online
(ar.sh/gre.m/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›