Tiranë, grabitet me armë salla e lojërave të fatit
TIRANE- Grabitet me armë salla e lojërave të fatit, në rrugën Irfan Tomini, në kryeqytet. Një person i armatosur kërcënon me armë punonjësin e pikës së lojërave të fatit dhe më pas është larguar që andej me një sasi prej rreth 200 mijë lekësh të reja. Grabitja e djeshme është në vazhdën e një serie të gjatë vjedhjesh të vogla dhe të mëdha që kanë pushtuar kryeqytetin. Për sa i takon grabitjeve me armë, vetëm në tre ditë kanë ndodhur katër të tilla dhe kjo e djeshmja është e pesta.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në rrugën Irfan Tomini, kur një person rreth 1.70 cm i gjatë hyri në kazinonë Admiral, dhe menjëherë iu drejtua arkës. Ai nxori pistoletën, të cilën ia drejtoi arkëtarit duke i kërkuar paratë. Ai e urdhëroi që të mos kryente asnjë lëvizje tjetër pasi në rast të kundërt do ta qëllonte. Pa mbaruar këto fjalë iu afrua banakut dhe i zgjati punonjësit të banakut një qese duke i kërkuar ta mbushte me të gjitha paratë që ndodheshin në arkë. Në pak sekonda, punonjësi i kazinosë që mbante arkën nuk bëri asgjë tjetër nga sa i tha njeriu i maskuar dhe me armë në dorë, por iu bind atij.
Më pas autori me të njëjtën shpejtësi rrufe që hyri në kazino, po ashtu edhe u largua në për mes pallateve të zonës së Selitës së Vogël. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes menjëherë pas njoftimit të kryer nga punonjësit e kazinosë, duke nisur hetimin dhe duke marrë deklarimet e punonjësve dhe dëshmitarëve okularë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka konstatuar lënien e disa elementëve nga autori, që sipas saj mund të ndihmonin hetuesit në zbardhjen e krimit, apo së paku në gjetjen e provave dhe të dhënave që mund të zbardhnin autorësinë e krimit. Arkëtari E. P, iu tha hetuesve se personi hyri me shpejtësi në kazino, i drejtoi sapo mbërriti te banaku armën dhe e kërcënoi me qëllim që ti jepte të gjitha paratë e grumbulluara. Pas marrjes së deklarimit të tij, hetuesit pyetën edhe disa persona të tjerë si dhe punonjësin e rojës së sigurisë së kazinosë, i cili tha se nuk kishte mundur të ndalonte autorin, i cili kishte hyrë si klient.
Hetuesit pasi morën deklarimet e dëshmitarëve të mundshëm dhe pamjet filmike të regjistruara nga kamera e sigurisë e kazinosë. Kjo kamera regjistron vetëm derën e jashtme. Nga këqyrja e saj policia tha se kishte administruar pamje të rëndësishme që mund të ndihmonin atë në identifikimin e autorëve të mundshëm. Agjentët e policisë kanë shoqëruar disa persona, por nuk kanë nxjerrë shumë të dhëna. Ndërkaq nga informacionet e marra në rrugë jo zyrtare, hetuesit kanë ngritur dyshime se personat kanë qenë jo më pak se dy. Një prej tyre hyri në kazino, ndërsa një tjetër ka pritur jashtë.
Precedentët
10 Shkurt 2012
Në orën 15:15, në rrugën Muhamet Gjollesha, një person i paidentifikuar me maskë bastisi paratë e farmacisë së Lumturi Grabovës. Kjo e fundit pas ngjarjes, denoncoi në komisariatin nr.2, duke nisur edhe hetimet me këtë rast.
10 Shkurt
Në orën 20:00, një person i maskuar dhe i armatosur vodhi me armë farmacinë e shtetases Aida Zhaka. Sipas denoncimit të të dëmtuarës, autori mori një sasi parash duke u larguar me shpejtësi.
11 shkurt
Në rrugën 4 Dëshmorët, persona të panjohur sulmuan me armë një lokal i lojrave të fatit dhe basteve sportive Admiral, duke marrë që andej një sasi parash.
12 shkurt
Në orën 22:00, në rrugën Irfan Tomini, dy persona, kanë vjedhur me armë lokalin e Petraq Naços. Policia ka nisur hetimet duke ngritur dyshime mbi dy persona të mundshëm.
