Tiranë, motori përplaset me makinën, humb jetën 40-vjeçari

Një aksident me pasoja fatale është regjistruar mbrëmjen e sotme në kryeqytet, duke shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën e Prushit, ku një motomjet është përplasur me një autoveturë.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia, rreth orëve të vona të mbrëmjes, automjeti i drejtuar nga 23-vjeçari F. Gj. është përplasur me një motor që drejtohej nga shtetasi B. T., 40 vjeç. Përplasja ka qenë e fortë dhe fatale për drejtuesin e motorit.
Fatkeqësisht, 40-vjeçari B. T. nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Në motor bashkë me të udhëtonte edhe një vajzë e re, shtetasja A. Gj., 22 vjeçe. Ajo ka mbetur e plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
“Në rrugën e Prushit, automjeti me drejtues shtetasin F. Gj, rreth 23 vjeç është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin B. T, rreth 40 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit si dhe është dëmtuar pasagjeria në motomjet shtetasja A. Gj, rreth 22 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i automjetit shtetasi F. Gj, është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme proceduriale.”, njofton policia.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e sakta dhe rrethanat që çuan në këtë aksident tragjik.
/rtsh.al/