Rruga e re Tiranë–Ndroq–Plepa, Gogu: Investim 87 milionë euro, ja si do të transformohet zona Vaqarr-Pezë

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka prezantuar detajet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për zonën rurale të Tiranës: rindërtimin e aksit Tiranë-Ndroq-Plepa.
Përmes një reagimi publik nw rrjetet sociale, Gogu bëri me dije se ky projekt është futur në listën prioritare të qeverisë, si pjesë e paketës së “120 Projekteve me Rëndësi Kombëtare”, të cilat pritet të hedhin themelet e zhvillimit për periudhën 2026-2028.
Sipas ministrit Gogu, vlera e investimit kap shifrën e 87 milionë eurove. Ai theksoi se “ky fond nuk është thjesht për asfaltimin e rrugës, por përbën një nxitje direkte për ekonominë lokale”.
“Kjo rrugë nuk është thjesht asfalt: është më shumë punë për zonën, më shumë akses për banorët dhe bizneset,” shkruan Gogu.
Zonat që përfitojnë
Projekti pritet të ketë impakt të drejtpërdrejtë në segmentin Vaqarr-Pezë-Ndroq. Përmirësimi i këtij aksi do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe do të lehtësojë lidhjen e këtyre zonave me dy polet kryesore ekonomike: Tiranën dhe zonën bregdetare (detin).
Gogu nënvizon se ky investim i jep territorit mundësinë të shfrytëzojë potencialin e vet bujqësor dhe turistik, duke i afruar prodhimet vendase me tregjet e mëdha.
“Zhvillimi fillon aty ku ka lidhje të forta — mes njerëzve dhe vendeve,” përmbyll postimin ministri, duke e cilësuar këtë rrugë si një arterie që lidh njerëzit me mundësitë e reja.
/rtsh.al/