E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, nis ndërtimi i rrugës “Mujo Ulqinaku”

20-01-2013 / Gazeta 55

Tabaku: Infrastruktura në zemër të Tiranës, më keq se e fshatrave më të thellë, 8 vjet më parë

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës znj. Jorida Tabaku ka inspektuar sot punimet në rrugën “Mujo Ulqinaku”, me gjatësi rreth 377 m.
“Kemi ardhur sot këtu, në një nga rrugicat që është në zemër të Tiranës, për të inspektuar rehabilitimin e rrugës “Mujo Ulqinaku”. Para disa ditësh ishim në një zonë informale të Tiranës dhe së bashku ecëm mes baltës dhe boshllëkut që kishte lënë aty bashkia e mëparshme, por shohim që i njëjti standard është ndjekur edhe në rrugicat që kanë formuar qytetin e Tiranës.
Duke diskutuar me banorët, pamë në detaje edhe projektin, një projekt i cili do i shërbejë komunitetit të kësaj zone me 3000 deri 5000 banorë, që do të përfshijë sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, rehabilitimin e rrugës me një gjerësi 4 deri në 6 metra, aty ku është e mundur, sepse rrugica është e ngushtë dhe fatkeqësisht disa ndërtime janë dhënë pa marrë parasysh përmirësimin dhe urbanizimin e zonës.
Projekti parashikon njëkohësisht edhe 100 metra gjelbërim, gjë të cilën kjo zonë e ka tërësisht të munguar si dhe ndriçimin në disa nga pjesët kryesore, një hapësirë e përbashkët në sheshin ku ne ndodhemi, duke marrë parasysh dhe disa sistemime e rregullime në disa prej rrugicave të vogla që ka rruga “Mujo Ulqinaku” – theksoi Nënkryetarja Jorida Tabaku.
Znj. Tabaku theksoi se ky projekt është vetëm fillimi i investimeve në infrastrukturën rrugore në këtë njësi bashkiake, e cila sot nuk krahasohet as me rrugët më të vjetra të fshatrave më të thellë, të para 8 viteve.
 
“Ky projekt i paraprin edhe 5 investimeve të tjera në njësinë bashkiake nr.10, të cilat shumë shpejt do të fillojnë të zbatohen. Projekti i tyre ka përfunduar, janë tenderuar dhe do të vijnë për komunitetin brenda një periudhe të shkurtër. Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu për të parë bashkarisht, se në çfarë gjendje ndodhet si pjesa informale e Tiranës e po ashtu edhe pjesa më e zhvilluar e qytetit, njësia 10” – u shpreh Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës.
Projekti pritet të përfundojë brenda 6 muajve dhe ka një vlerë totale, rreth 17.7 milionë lekë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›