Tiranë, nis ndërtimi i rrugës së “Kosovarëve”
Basha: Rruga në parametrat e një bulevardi, u parashikua 8 vite më parë, por po ndërtohet vetëm tani
Me një investim prej 86 milionë lekësh ka nisur ndërtimi i rrugës së “Kosovarëve”, në njësinë bashkiake nr. 5. Kjo rrugë lidh një zonë shumë të populluar të Tiranës, “Komunën e Parisit” me parkun e Liqenit Artificial, duke vijuar me tej me Unazën e Re. Në këtë rrugë me gjatësi 570 metra do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ujësjellësi do të ketë ndriçim rrugor si dhe do të mbillen mbi 140 pemë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet që po kryhen në këtë rrugë e cila do të ketë përmasat e një bulevardi.
“Bëhet fjalë për një nga rrugët e rëndësishme të qytetit tonë, e cila sot fillon të zhvillohet me parametra faktikisht të një bulevardi, me një gjerësi të rrugës prej 12 metrash, me parkime në të dyja anët dhe me trotuare të gjerë 4 metra, në të dy krahët, pra ndër trotuaret më të gjerë që mund të investohet në një rrugë të parametrave urbanë.
Kjo rrugë është një pjesë e rëndësishme e jetës së mbi 10 mijë banorëve të kësaj zone, pasi është arteria e tyre e vetme pedonale, (këmbësore) që i lidh me parkun e Liqenit, ndërkohë që funksionon si arterie lidhëse për mbi 25 mijë banorë të tjerë që jetojnë në këtë zonë dhe që mund të kenë akses në park apo kanë akses në park, duke ecur në këmbë.
Pas inspektimit të shtratit të rrugës, ne vumë re disa hapa të cilat po ndërmerren në bashkëpunim me institucione të tjera, siç është nevoja për të rehabilituar kolektorin e Liqenit Artificial që ndodhet në anë të këtij investimi dhe nevoja për të ruajtur të pacenuara fushat sportive, në krah të së cilave po kështu kalon kjo rrugë.
Vura re me shumë kënaqësi se banorët mezi e presin ndërtimin e kësaj rruge, e cila faktikisht ka qenë në planet e Bashkisë për t’u ndërtuar për mbi 7 apo 8 vjet por me sa duket ky është momenti i parë në të cilin Bashkia po merret seriozisht me implementimin e këtij projekti” – u shpreh kreu i Bashkisë Lulzim Basha.
Pavarësisht kohës së paqëndrueshme në të cilën kanë nisur punimet në infrastrukturën tejet të rënduar të qytetit të Tiranës dhe në një pjesë të saj të pavënë asnjëherë dorë më parë, Kryebashkiaku Basha tha se këto punime do të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në kontrata.
“Sigurisht që këto rrugë janë hapur në bazë të kontratave që parashikojnë afate. Në të gjithë inspektimet, unë kam vënë re gatishmërinë, përkushtimin, jo vetëm me fjalë por edhe sa i përket ritmit të punimeve të shumicës dërrmuese të kontraktorëve, jo vetëm për të respektuar afatet por edhe për t’i shkurtuar ato. Në disa raste, punimet janë ngadalësuar për shkak të reshjeve, në disa raste faza e parë e punimeve që janë gërmimet, në kombinim me reshjet kanë shkaktuar situata të pakëndshme në qytet. Jam fare i ndërgjegjshëm për këtë, sikundër jam i ndërgjegjshëm që vepra të kësaj natyre në një mënyrë apo në një tjetër në fazën e ndërtimit kanë impaktet e tyre negative në qytet. Gjatë dimrit shoqërohen me baltë, gjatë verës shoqërohen me pluhur, ndaj shpresoj që avantazhi i punimeve që kanë nisur në këtë sezon, të jetë që pasi kemi lënë pas periudhën e reshjeve, të paktën periudha e verës të mos i shoqërojë kantieret e punës me pluhur por të ndodhemi në fazën e fundit, në atë të asfaltimit, në mënyrë që brenda një kohe të shkurtër, qytetarët jo vetëm të harrojnë mundimet e përkohshme që solli ndërtimi i rrugës por të gëzojnë frytet e një rruge të re, pavarësisht nëse ndodhet në qendër apo në periferi. Kemi gjetur mirëkuptimin e qytetarëve në tërësi, mundohemi sa më shumë të kufizojmë efektet negative të procesit të ndërtimit, ndërkohë që me kontraktorët vazhdojmë të insistojmë, deri më tani me sukses, për ndjekje të kalendarit të punimeve sipas kontratës”- theksoi z. Basha.