E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, nis rikonstruksioni i kopshteve 1 dhe 40

TIRANE- Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, ka bërë të ditur sot , se Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e kopshteve 1 dhe 40 në kryeqytet. Kopështi nr. 1 do të rikonstruktohet me një investim prej 20 milionë lekësh, ndërsa vlera e investimit të kopështit nr.40 është 19 milionë lekë. 

Në të dy kopshtet do të riorganizohen ambientet, do të ketë dhomë mjeku dhe psikologu, do të instalohet ngrohja qendrore dhe do të realizohet hidroizolimi i tarracave dhe suvatimi i mureve dhe tavaneve që janë të dëmtuara nga lagështira, do të kryhet riparimi i sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe riparimi i sistemit të rrjetit ekzistues elektrik

Rikonstruksioni i dy kopshteve do të përfundojë brenda 8 muajsh. Kryebashkiaku Lulzim Basha shprehu “vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për t’u ofruar fëmijëve të kryeqytetit kushte sa më të mira në kopshte, në përputhje të plotë me normat e BE”. 

Kryebashkiaku Basha, bëri të ditur se këto investime po kryhen nga buxheti i vetë Bashkisë dhe do të vazhdojnë për një periudhë kohore 3 deri në 6 muaj. 

Ndër të tjera kreu i Bashkisë deklaroi se javën e ardhshme pritet të nisë puna edhe për bulevardin e ri të Tiranës. "Sot, Fondi i Abu-Dhabit ka bërë zyrtar aprovimin e fituesit të tenderit ndërkombëtar për bulevardin e Tiranës dhe ne presim brenda një kohe shumë të shkurtër, të finalizojmë hapat dhe mundësisht brenda kësaj jave të bëjmë mobilizimin. 

Sot, ka një etapë tjetër, të fundit, të rëndësishme dhe që është akti i qeverisë, vendimi i Këshillit të Ministrave për të miratuar shpronësimin e objekteve në trajektoren e bulevardit. Me përmbylljen me sukses të kësaj etape, të këtij vendimi, ne jemi gati të nisim punimet, ndoshta që në këtë fundjavë", tha Basha. 

(m.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›