Tiranë, një i dyshuar për grabitjen e kambistit
TIRANE- Policia e kryeqytetit dyshon se grabitja e kambistit Fari Fanxha në rrugën "Gjergj Fishta", mëngjesin e 2 tetorit, pas pallateve shumëkatëshe që ndodhen midis Gjykatës së Faktit Tiranë dhe ish-Ekspozitës "Shqipëria Sot", është kryer nga i njëjti grup që grabitën në Elbasan kambistin tjetër, Arben Kovaçi. Në fakt, tri ditë më parë skuadra e vjedhjeve me dhunë shoqëroi një të dyshuar, i cili ishte lidhje e ngushtë e të arrestuarve për grabitjen e kambistit elbasanas. I shoqëruari është lënë i lirë për mungesë provash, por kjo nuk i ka bindur hetuesit e Tiranës të ndërpresin hetimet në këtë pistë. Rreth orës 7:00 të mëngjesit të 2 tetorit, shkonte në punë në një pikë të këmbimit valutor që ndodhet te pallatet e "Shallvareve" në Tiranë. Fanxha është sulmuar nga dy persona të armatosur teksa dilte me makinën e tij nga parkingu i pallatit, për të shkuar në punë. Autorët kanë qëlluar një herë në drejtim të makinës për të trembur Fanxhën dhe një herë në ajër, duke u larguar me gjithë çantën me valutë. Fanxha denoncoi se në çantë kishte pasur 100 mijë euro, kurse policia nga verifikimet e kryera deklaroi se ishin grabitur 65 mijë euro.
(s.g/g.xh/BalkanWeb)