E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit e pedagogët, ja kushtet për pensionin

Nga Esmeralda Keta
Mësuesit dhe pedagogët, të cilët do të dalin në pension nga 1 korriku 2008 deri më 30 qershor 2009, duhet të plotësojnë tri kushte kryesore. Në të kundërt përfitojnë pension në 2010. 

TIRANE-Mësuesit dhe pedagogët, të cilët do të dalin në pension nga 1 korriku 2008 deri më 30 qershor 2009, duhet të plotësojnë tri kushte kryesore. Femrat duhet të jenë 57 vjeçe e 6 muaj, të kenë 35 vite pune të siguruara, nga të cilat, 26 vjet e 3 muaj duhet të kenë punuar në arsim. Ndërsa meshkujt duhet të kenë mbushur moshën 62 vjeç e 6 muaj, të kenë 35 vite pune të siguruara, nga të cilat, 26 vjet e 3 muaj duhet të kenë punuar në arsim.
Procedura
Në rastet kur nuk plotësohen të tria kushtet e mësipërme në një ditë deri më 30 qershor 2009, mësuesit e pedagogët do të përfitojnë pension më vonë se fundi i qershorit të vitit që vjen. E zëmë se më 20 dhjetor të këtij viti, një mësuese plotëson moshën 57 vjeçe e 6 muaj, ka 35 vjet pune gjithsej, por në arsim dhe profesionet e tjera të kategorisë së dytë që njësohen me punën e mësueses, ka vetëm 26 vjet, ajo nuk del në pension më 20 nëntor të këtij viti, por më 20 mars të vitit 2009, kur i bëhen 26 vjet e 3 muaj punë të siguruara në profesionin e mësueses. Edhe në të ardhmen, gradualisht në çdo datë l korrik moshat e daljes në pension të mësuesve dhe pedagogëve, do të shtohen me 6 muaj, deri sa, duke filluar nga 1 korriku 2013 e në vazhdim mësueset femra do të dalin në pension të plotë 60 vjeçe dhe meshkujt 65 vjeç, kur kanë 35 vjet punë gjithsej të siguruara, pavarësisht se ku kanë punuar. Në kohën e punës gjithsej për efekte të pensionit të pleqërisë, përfshihen përveç viteve të shënuara në librezën e punës edhe koha e vazhdimit të studimeve të larta ditën, për femra brenda ose jashtë vendit, me dhe pa bursë, sipas kohëzgjatjes së fakulteteve, por jo më shumë se 6 vjet, duke e vërtetuar këtë me kopjen e diplomës së noterizuar. Koha e studimeve të larta ditën llogaritet një vit shkollor e barabartë me një vit punë. Gjithashtu, në kohe punë gjithsej për efekte pensioni përfshihet edhe koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak për meshkujt, duke e dokumentuar me vërtetim nga dega ushtarake, periudha e invaliditetit të pjesshëm ose të plotë, periudhat e lejeve të zakonshme, raporteve mjekësore të pagueshme, për paaftësi të përkohshme në punë, të lejeve të barrë- lindjes, periudha e papunësisë ose e asistencës. Ditët e zboreve ushtarake të kryera mbas fillimit të punës, llogariten vjetërsi pune për efekte pensioni dhe page pavarësisht nga gjinia.
Llogaritja
Nga data 1 korrik 2008 e në vazhdim, pensionet e plota të shtetit pa përfshirë kompensimet nuk mund të jenë më të larta se 19.030 lekë në muaj. Mësuesit, pedagogët, trajnerët dhe sportistët, të cilët përfitojnë pension të posaçëm, kanë të drejtë të marrin njëkohësisht pensionin e zakonshëm dhe të posaçëm e shtesat përkatëse që i bëhen të dy llojeve të pensioneve me vendime të Këshillit të Ministrave, i cili e ka në kompetencë. Kështu për shembull, nga rritja e pensioneve më 1 korrik të këtij viti ishte 10 për qind rritje për secilin pension. Mësuesit dhe pedagogët që dalin në pension mbi moshën 57 e 6 muaj vjeç për femrat dhe 62 vjeç e 6 muaj për meshkujt dhe kanë punuar më shumë se 35 vjet të siguruar gjithsej, pavarësisht se ku kanë punuar në vendin tonë, përfitojnë 4 për qind shtesë pensioni për çdo vit, ose 0.34 për qind shtesë mbi pension për çdo muaj pune. Gjithashtu femrat që plotësojnë moshën 57 vjeçe dhe meshkujt 62 vjeç dhe kanë 35 vjet punë të siguruara gjithsej pavarësisht nga profesioni, me dëshirën e tyre kanë të drejtë të marrin pension të reduktuar, pra mësuesit e pedagogët, nga data 1 korrik 2008 deri më 30 qershor 2009, pensionin e reduktuar e marrin 6 muaj më përpara se pensioni i plotë. Pensioni i reduktuar llogaritet me 0.6 për qind në muaj më pak se pensioni i plotë. Në rastin konkret, pensioni i reduktuar për 6 muaj që merret para pensionit të plotë është 3.6 për qind më pak se pensioni i plotë (0.6 për qind x 6 muaj ) ose pensioni i reduktuar del 96.4 për qind e pensionit të plotë dhe mbetet i tillë edhe mbas plotësimit të moshës për pension të plotë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›