E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, prishet një ndërtim pa leje, Hoxha: Sanksione firmave që ndihmojnë ndërtimet

TIRANE - Bashkia e Tiranës ka vijuar me identifikimin dhe prishjen e objekteve pa leje të cilat u ndërtuan gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës ka prishur sot një tjetër ndërtim pa leje në rrugën “Kongresi i Manastirit” në katin e fundit të një pallati 4 katësh. Kreu i Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha edhe sot u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndërtojnë pa leje, pasi nuk do të mund ta gëzojnë këtë pronë.

“Gjej rastin për t’u bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të Tiranës, që të mos ndërtojnë pa leje, pra të mos shpenzojnë kot, pasi nga ana jonë janë evidentuar dhe verifikuar në terren të gjithë ndërtimet informale, të bëra së fundmi në qytetin e Tiranës dhe do të goditen pa asnjë lloj përjashtimi.”- deklaroi Florenc Hoxha, kreu i Inspektoratit Ndërtimor.

Por në ndryshim nga herët e tjera, Bashkia e Tiranës u ka bërë thirrje edhe firmave që ndihmojnë në ndërtimin e këtyre objekteve në shkelje me ligjin, që të mos veprojnë pasi do të gjobiten dhe do tu sekuestrohen pajisjet.

“U bëj thirrje dhe firmave të cilat shpërndajnë inerte dhe ndihmojnë në një farë mënyre, ndihmojnë ndërtimet pa leje, që do të jenë pjesë e sanksioneve ligjore nga ana jonë. Më konkretisht, të gjithë pompat, betonierët apo mjetet e tjera që do të shërbejnë skelerinat dhe mjetet e tjera do të bllokohen nga ana jonë, deri në sekuestrimin e tyre.”-deklaroi Hoxha.

Bashkia e Tiranës prej kohësh ka nisur aksionin për prishjen e këtyre ndërtimeve pa leje, megjithëse në territorin e Tiranës janë shtuar mjaft kohët e fundit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›