E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët e burgut të Dhomokos: Alket Rizai të transferohet

Plani i shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikalas, për të liruar Alket Rizain nga burgu i Dhomokos, edhe pse i dështuar, ka shkaktuar shqetësim në mesin e zyrtarëve të burgut ku ndodhet Rizai.

Ky plan, por edhe kërkesat e vazhdueshme të të dënuarit shqiptar, që të shkojë në spitalin e qytetit të Lamias për shqetësime të ndryshme shëndetësore, kanë bërë që zyrtarët e burgut të Dhomokos të kërkojnë transferimin e tij në një burg tjetër.

Kërkesa motivohet me faktin që personeli në burgun e Dhomokos ka rënë ndjeshëm dhe stacioni i policisë lokale ka vetëm 3 oficerë gjatë natës. 

Sipas informacioneve, të arratisurit nga burgu i Trikalas, 2 netë më parë dështuan në planin e tyre, për të vënë eksploziv murit rrethues të burgut të Dhomokos, pasi në Artë ndeshën një patrullë policie, me të cilën shkëmbyen zjarr, nga ku fatmirësisht nuk pati të lënduar. 

Ndërkaq ndjekja e tyre vazhdon në ditën e 6 dhe policia greke mendon se ata janë shumë pranë kufirit me Shqipërinë, ku kanë përparësi, sepse e njohin mirë terrenin. 

Sipas informacioneve të fundit, kamerat termike kanë identifikuar mbrëmë 2 persona. 1000 oficerë policie janë në ndjekje të shqiptarëve, që mendohet se janë ndarë në dy grupe dhe lëvizin në drejtime të ndryshme; në drejtim të kufirit me Shqipërinë ose jashtë zonës së kontrollit policor. 

Qëllimi i policisë greke është të shmangë arratisjen e tyre në Shqipëri, edhe pse bëhet e ditur se autoritetet shqiptare kanë siguruar se do të bashkëpunojnë në kapjen e tyre. 

(a.jole/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›