E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, protestë në mbrojtje të Kopshtit Botanik: Jo shkatërrimit!

TIRANE-Shkatërrimi i rreth 2 ha të Kopshtit Botanik, në favor të Unazës së Madhe, ka mbledhur edhe sot në një protestë qytetarë të thjeshtë, ambientalistë e politikanë të Partisë Socialiste.
Ata shprehen të indinjuar për hartimin e projektit nga qeveria që parashikon futjen me rreth 2 ha në brendësi të Kopshtit Botanik, duke shkatërruar pjesën funksionale të tij, pa u konsultuar më parë edhe edhe në këtë rast të fundit, me palët e interesit dhe ekspertë mjedisorë.
Protesta e sotme pason atë të së shtunës, ku dhe sot u kerkua te ndalet ky projekt masaker.

"Projekti gabon kur nuk pyetet grupi i interesit që është pronari, qytetari, profesori, eksperti, nuk pyetet komuniteti. Sikur edhe 2 metra t'i marrësh kësaj vepre kombëtare duhet ta mendosh dy herë", -kanë deklaruar ambientalistët.
Ambientalisti Lavdosh Ferhuni theksoi se askush nuk do lejojë shkatërrimin e Kopshtit Botanik. “Mendojnë se ne do rrimë duarkryq? Qytetarët e Tiranës janë shumë të ndjeshëm për këtë gjë dhe jo vetëm ata”.

Edhe sot, protesta u mbeshtet nga deputete te Partise Socialiste.
Deputeti socialist Besnik Bare akuzoi qeverinë se po shkatërron një e nga një vlerat shkencore të vendit.
“Pasi shkatërroi akademinë e shkencave tani ka drejtuar sytë te kjo vlerë unikale e Tiranës që ka vlerë jo vetëm mjedisore por dhe shkencore, pasi për këtë kanë kontribuar intelektualë. Si do tu përgjigjëet atyre që e ndërtuan këtë Kopësht kur të kryejë këtë krim mjedisor e intelektual. Ne do ta ndalojmë këtë masakër me cdo mënyrë”

Më tej ishte deputeti socialist Eduart Shalësi qe theksoi se duhet ndalur dora kriminale e qeverisë ndaj mjedisit.
“Kjo bandë kusarësh nuk ndalet para asgjëje. Keni parë sesi kanë tentuar prej kohësh të rrëmbejnë lumenj, troje në bregdet. Sot mësojme se janë sulur si të babëzitur dhe ndaj Kopshtit Botanik, ndaj kësaj pasurie të krijuar ndër vite nga breza e breza të tërë punonjësish e shkencëtarësh. Për gjithë këtë babëzi fajin e ka Sali Berisha me qeverinë e tij të paskrupull e të pangopur. Ne duhet ta ndalim dhe të bëhemi vigjilentë për të mos lejuar këtë pasuri të dëmtohet”, apeloi Shalësi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›