E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, tubim kundër gjakmarrjes, i pranishëm edhe ambasadori Arvizu

Tubim kundër gjakmarjes

Sot u organizua një tubim homazhi nga aktivistë të shoqërisë civile kundër fenomenit të gjakmarrjes, ku morën pjesë qindra qytetarë.

Të pranishmit mbanin në duar foto të Marias, 17-vjeçares e ekzekutuar në emër të Kanunit së bashku me gjyshin e saj 70-vjeçar, pak ditë më parë në Dukagjin.

Qytetarët vendosën tufa me lule dhe ndezën qirinj pranë foto-homazhit të Marias, ndërsa organizatorë të lëvizje apeluan për ndërgjegjësim të shoqërisë dhe strukturave shtetërore për ndaljen e fenomenit të dalë duarsh prej ligjeve dhe vetë Kanunit.

Pjesë e tubimit mes qytetarëve ishte edhe ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Aleksander Arvizu.

Mbesa, Marije Çukaj dhe gjyshi, Kolë Çukaj

Shkodër, vrasja e gjyshit dhe mbesës për hakmarrje, policia shpall 3 persona në kërkim

Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim tre personat që vranë mbesën edhe gjyshin ditën e djeshme në fshatin Kir, për motive hasmërie.

Tre pjesëtarë të fisit Prroj nga fshati Kir i komunës Pult në Dukagjin janë shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se janë autor të vrasjes së shtetasve Marije Çukaj, vjeç 17, dhe Kolë Çukaj, 70 vjeç.

Sipas policisë ka nisur procedimi penal për babë e bir, me të njëjtat iniciale A.Prroji 43 dhe 27 vjeç, si dhe për të afërmin e tyre 32-vjeçarin, V.Prroji. Tre pjesëtarët e fisit Prroj janë shpallur në kërkim ndërsa akoma nuk është bërë e mundur kapja e tyre.

Shkak për ngjarjen ka qenë një hasmëri  e vjetër, ku në korrik të 2010-ës, nipi i Kolë Çukajt ka vrarë fqinjin e tij, pas një konflikti që kanë pasur për motive pronësie. Edhe vrasja e dy viteve më parë ka ndodhur pothuajse në të njëjtin vend. Autori Gjokë Çukaj vuan dënimin në burg.

Një ditë më parë 17-vjeçarja, Marie Çukaj dhe gjyshi i saj Kolë Çukaj, 70 vjeç, u ekzekutuan me armë zjarri ndërsa ishin duke punuar në tokën e tyre, pranë shtëpisë ku jetonin. Vajza ka vdekur në vend, ndërsa gjyshi i saj ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Sipas policisë, autorët e vrasjes kanë ditur shumë mirë lëvizjet e viktimave dhe kanë përgatitur gjithçka me qetësi.

Ngjarja e ndodhur ditën e djeshme

Një 17-vjeçare dhe gjyshi i saj kanë gjetur vdekjen pasi janë qëlluar me armë zjarri pasditen e së enjtes në fshatin Kir së komunës Pult në Dukagjin. Marije Quku, 17 vjeçe së bashku me gjyshin e saj, Kolë Quku, 70 vjeç, kanë qenë duke punuar në arën pranë shtëpisë së tyre në lagjen Kasnec të fshatit Kir të komunës Pult në Dukagjin të Shkodrës.

Sipas policisë kanë qenë dy persona kanë qëlluar me breshëri automatiku 70-vjeçarin dhe mbesën e tij, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa gjyshi i saj ka vdekur rrugës për në spitalin e Shkodrës.

Motivi i ngjarjes mendohet se është gjakmarrja .Kjo pasi dy vjet më parë, më 8 korrik 2010, në po këtë lagje është vrarë me armë zjarri 60-vjeçari, Ndoc Dedë Voci ( Prroj), baba i katër fëmijëve. Sipas policisë autori i dyshuar i ngjarjes ka qenë fqinji i tij Gj.Quku, familjar me viktimat e së enjtes, Gj.Quku i cili ndodhet në burg kishte konflikt me fqinjin e tij Ndoc Prroj lidhur me ujin që përdoret për vaditje.

Viktima e para dy viteve, Ndoc Prroj, ka qenë në oborrin e banesës së tij kur është qëlluar me armë zjarri  dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Prej dy vitesh dy familjet fqinjë në të njëjtën lagje dhe të njëjtit fshat janë në hasmëri ndërsa pasditen e së enjtes, Kolë dhe Marije Quku janë qëlluar po në arën pranë shtëpisë, thuajse në të njëjtën mënyrë si ngjarja e dy viteve më parë. Sipas policisë po punohet për kapjen e autorëve. /Anila Dushi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›