Tiranë, vetëvritet babai i policit të vrarë nga Dritan Dajti
Pak më shumë se 3 vjet pas vrasjes së të birit dhimbja dhe depresioni kanë mundur Islam Duçkollarin. Efektivi i policisë rrugore është dorëzuar duke i dhënë fund jetës me një armë gjahu në banesën e tij duke iu bashkuar të birit, vrarë në operacionin për arrestimin e Dritan Dajtit në 7 gusht 2009.
63-vjeçari, babai i efektivit të operacioneve special Saimir Duçkollari është gjetur pa jetë në banesën e tij në orët e para të së hënës pasi kishte marrë aktin e vetëflijimit. Kanë qënë të afërmit e tij që kanë zbuluar fillimisht këtë veprim të 63-vjeçarit dhe më pas është informuar edhe policia e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke filluar hetimet.
Një ngjarje e rëndë për familjen Duçkollari që pas ekzekutimit të djalit të vogël të familjes tashmë duhet të përcjellë në zi edhe babin që depresioni ia kishte marrë dalngadalë shpresën e jetës. Ngjarja ndodhi në banesën e djalit të viktimës në afërsi të Selvisë ku policia ka konstatuar se viktima ishte qëlluar me një plumb, nga një armë gjahu çifte.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e kryeqytetit ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore ku është konstatuar se vdekja ka ardhur si pasojë e vetëvrasjes. Islam Duçkollari ishte rikthyer në rradhët e policisë pas vrasjes së të birit dhe punonte në strukturat e policisë rrugore në Tiranë.
Akti i tij vjen pas 4 vjetësh kur Saimir Duçkollari sëbashku edhe me tre kolegë të tjerë mbeti viktimë e shkëmbimit të zjarrit me Dritan Dajtin në zonën e plazhit në Durrës. Pas kësaj ngjarje, Saimir dhe 3 kolegët e tij u shpallën dëshmorë të Atdheut por duke lënë pas valën e zisë për familjen Duçkollari.