E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, zbulohet një punishte që falsifikonte dokumente zyrtare, pranga 46-vjeçarit

TIRANE- Policia e Shtetit kundër krimit Financiar në bashkëpunim me policinë e Tiranës zbuluan një punishte që merrej me falsifikimin e dokumenteve zyrtare, në pronësi të shtetasit Azem Tahiri.  

Sinjalizimi ka ardhur nga autoritetet greke, për veprimtarinë kriminale të një grupi shqiptarësh që falsifikonte mijëra dokumente. 

Policia njoftoi se gjatë ditës së sotme ka ushtruar një kontroll në ambientet e shtetasit Azem Tahiri, nga ku në garazhin e tij u gjetën dhe u sekuestruan 16 makineri shtypshkronje, që shërbenin për stampime të ndryshme dhe njëra prej tyre lazer print ofset, që të gjitha pajisje profesionale.

Po ashtu u gjetën dhe sekuestruan dhe tre paleta me letra format A4 dhe A3 e plastifikuar, si dhe plastikë. 

Policia bën me dije se shtetasi Azem Tahiri është arrestuar në Greqi, më datë 12 shtator 2013, së bashku me shtetasit Panajot Bilbil Bare, vjeç 46, banues në Berat dhe Eduard Zeneli, vjeç 46, banues në Ksamil të Sarandës.

Në momentin e arrestimit këtyre shtetasve u janë gjetur mijëra dokumenta të falsifikuara në cilësi mjaft të mirë, si karta identiteti të vendeve të ndryshme europiane,viza europiane,modele të reja patentash dhe pasaportash,vulash etj. 

Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet policore greke, për një periudhë një javore kanë kryer veprime intensive për të dokumentuar aktivitetin e këtyre shtetasve. 

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se shtetasi Azem Tahiri prodhonte dokumenta të falsifikuara në ambientet në pronësi të tij tek Kodra e Diellit, Tiranë.

Nga strukturat e Policisë janë kryer veprimet procedurale dhe u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i të gjitha pajisjeve dhe materialeve të gjetura. Ndërkohë vazhdojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjorë të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve. 

(m.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›