Tiranë, zhvillohet konferenca rajonale për fuqizimin e kërkimit shkencor
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë sot paradite në Konferencën rajonale me temë “Fuqizimi i kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë, nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe atij pan Evropian” të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim dhe UNESCO dhe me mbështetjen e qeverisë zvicerane. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ministrat e arsimit të vendeve të rajonit, drejtues të Institucioneve kërkimore shkencore të vendit dhe të vendeve mike të pranishme në konferencë, drejtues të universiteteve, studiues, pedagogë, etj. Në fjalën e hapjes, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafai u shpreh se arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë prioritet i qeverisë shqiptare, e cila e konsideron investimin për arsimin dhe shkencën si një garanci për zhvillimin e vendit. Duke përshëndetur Konferencën, kryeministri Berisha falënderoi organizatorët , të cilët përzgjodhën Tiranën për organizmin e një konference, e cila trajton një çështje kaq të rëndësishme siç është kërkimi shkencor dhe inovacioni. Ai theksoi se reforma e thellë që ndërmori vendi ynë për të shkrirë kërkimin shkencor me mësimdhënien u bazua në parimin dhe në besimin se universitetet, auditorët, laboratorët, potencialet e tyre janë dhe mbeten shtretërit e ngrohtë kryesor, të zhvillimit , të mendimit intelektual, të zhvillimit , të mendimit shkencor. Në këtë kontekst, Berisha shtoi se qeveria do të përpiqet dhe po përpiqet të rrisë progresisvisht fondet për kërkimin shkencor, si një kusht vendimtar për suksesin e tij. Sipas tij, këto burime mund të dyfishohen apo të shtohen më shumë nëpërmjet kontributit të padiskutueshëm të sektorit privat. “Është e domosdoshme që ne të përpunojmë të gjithë mekanizmat ligjorë, të gjitha lehtësirat në mënyrë që sektori privat, në raport me të cilin buxhetet janë shumë të vegjël, të mund të kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe të shkencës”, tha Berisha.