Tirona, në zemrat tona!
Që Tirana sështë e bukur, sdo mendje të hollë të kuptohet apo sy të veçantë të shihet. Klisheja e papërgjegjshme pavetore Kjo dihet! i shkon mirë për shtat situatës. Që Tirana është e bukur mund të thuhet, po, nga ata që e këqyrin me syze nostalgjike. Gazetarët nuk ka përse të veçojnë si fakt të pazakontë apo lajm-bërës se regjisori italian M. Bellocchio paskësh thënë: Tirana nuk është një qytet i bukur. Ndoshta ata duan të nënvizojnë sjelljen e pahijshme të Bellocchios që të shan në shtëpinë tënde? As kjo nuk më duket se justifikon lajmin. Në fund të fundit, ai u tregua i kujdesshëm e kortez, pasi stha Tirana është e shëmtuar, sido që qartësisht nënteksti tregon se kjo është ideja. Pastaj, përse duhet të gënjente? Për fat të keq, është aq e pabukur Tirana, sa do duhej verbëri totale ose ligjëratë prej politikani të BE-së që të mund të thuhej e kundërta.
Kush thotë që Tirana është e bukur? Ndoshta njerëz që, në botë, kanë parë vetëm atë kryeqytet. Kryeministri ynë, do ta thoshte këtë se ia do puna dhe votat. Lulzim Basha do ta thoshte se mban karrigen simbolike të Tiranës. Ambasadorët nuk para bëjnë gabime politike, dhe sdo ta quanin të shëmtuar qytetin ku u ka rënë koka. Edhe Edi Rama vetë, që më shumë se kushdo tjetër pas socializmit ka vu dorë nte, në këngën për Tiranën (do thoja se kjo këngë tregon më saktë se kushdo tjetër historinë e Tiranës së tranzicionit) repon gjithë problemet e Tiranës, duke shtuar se, prapëseprapë, zemrat tona rrahin për të; por as atij goja sia thotë dot Tiranë e bukur. Jo veç nuk themi dot se Tirana është e bukur, por as e fshehim dot se është e shëmtuar. Në planetin tonë veç kosovarët të thonë sinqerisht, gojëplot e duke të parë drejt e në sy Sa e bukur është Tirana!.(?!) (Dhe, nuk do ndalem sot të shpjegoj përse ata kanë gjithë të drejtën e botës të thonë kështu. )
Pse nuk është e bukur Tirana? Sido që themi se është konceptuar si një qytet shumë-qendërsh, të gjithë e dimë që kjo është mënyra më e mirë për të maskuar faktin që Tirana vetëm e menduar nuk është. Siç lindnin dikur qytetet mesjetare të botës (që, veç në shekujt më pas, u sistemuan dhe zbukuruan), ajo i bindet vetëm terrenit, trillit të atij që do të ndërtojë, dhe, për më keq, lodrave korruptive që kanë qenë më të shumta sesa banorët e Tiranës. Tirana është një qytet, pjesa historike e të cilit konsiston në aq e aq pesëkatësha të shëmtuar, kubikularë, të shfytyruar nga shtesat e modifikimet dhe tekstualisht të rrjepur, të socializmit. Pjesa e re është një absurditet më vete që mund të analizohet nga shumë pikëpamje, veçse jo për nga vlerat estetike dhe as ato funksionale. Ndërtesat e pakta gjigante pa kuptim, i rrinë Tiranës pahijshëm si sëmundje ardhur nga një tjetër civilizim. Rrugët janë në një proces riparimi të vazhdueshëm që spushon kurrë, por asnjëherë të pastra dhe kurrë pa kurthe ku të mund të ndrydhësh këmbët. Pastaj janë automjetet publike gjithnjë të mbi-rënduara, të vonuara, rënkuese. Pastaj ato private, arrogante e të paturpshme, frikësuese. Dhe shumë e shumë frikë këmbësorësh nga automjetet: rend, rend, rend me zemrën në dorë sa të arrish trotuarin, me shpresë se atje nuk të kap makina e paskrupullt! Ia hodhe edhe kësaj radhe! Parqet e qytetit janë të pakëta dhe pa hijeshinë apo gjelbërimin e çfarëdo kryeqyteti europian apo ballkanik, e, sa u rregullohet një anë, u prishet tjetra. Bulevardet themelore herë çalojnë nga pllakat, herë nga pemët e herë nga kafenetë në radhë, që, kur sjanë bosh, janë mbushur me qenie të plakura nga pamundësitë e që vrasin kohën para gotës, apo të rinj që skanë çbëjnë e luajnë me celularët. I ashtuquajturi Bllok që sapo vjen mbrëmja sulmohet nga një mizëri të rinjsh, që gjithë ditën e strukturon vetëm që të shkojë atje natën, është bërë i pajetueshëm, i lodhur e i lodhshëm.
Në fakt, themelorja janë njerëzit. Aq shumë njerëz me fytyra të lodhura e të varfra, të harruara në tym e halle; të tjerë që çapiten me kokën që ndiqet nga trupi, duke tërhequr këpucë, torba, dhe shpatulla të kërrusura; tufa fshatarësh që ua lexon në ballë hallin; shumë të rinj për fat, por shumica me shenja vuajtjeje e paqëllimi, me një lloj vyshkjeje të parakohshme në trup e lëvizje; jetë e keqe e shkruar në fytyrën e shumicës; Smog dhe pluhur që ndihen triumfues para njeriut të pafuqishëm që ska si të mos i thithë e bëjë pjesë të vetën; era e rëndë e varfërisë dhe rrallë parfumet e shtrenjta përzihen vazhdimisht teksa dikush çan ajrin e keq të Tiranës. Por në mars ndihen mimozat (ato si kam ndier që prej njëzet vjetësh, por pyes rregullisht, e rregullisht më thonë se janë ende gjallë) Në qershor, kur zakonisht vij në Tiranë, ndiej tek-tuk blirin. Më merr malli për blirin, por qoshkat e rehatshme dhe erëmira në Tiranë janë gjithnjë të shkëputura, vetmitare dhe rrenacake. Më shumë është dëshira për tu ndier mire, sesa Tirana vetë që të bën të ndihesh si duhet.
Para do vjetësh një pogradecare kthyer feministe, mu hakërrye kur pyetjes nëse Tirana ish më mirë në socializëm apo sot, guxova ti përgjigjem Mendoj se është më mirë sot. Pogradecarka kish të drejtë të ruante me dashuri kujtimet e fëmijërisë, kur nga Pogradeci vinte ndonjëherë në Tiranë dhe i dukej si një lloj kopshti i rregullt, i pastër e funksional, apo të kujtonte Tiranën ku kish bërë shkollën. Por iluzionet rinore nuk mund të na zënë sytë e sidomos mendjen kur rritemi. Ajo lloj Tirane më e mirë e saj, është si dashuritë e shkurtra që nuk kthehen në martesa, dhe idealizohen më pas, veç ngaqë skanë jetuar ciklin e plotë. Në fakt, me gjithë sa thashë në paragrafët më lart, vazhdoj të mendoj se Tirana është më e drejtë sot sesa dje. E fëlliqur, pa plan e të ardhme, në lëmsh e tym, është më e lirë sesa ishte dje Tirana. Prodhon krim e rron prej krimit sot, por ajo Tiranë që ishte dikur veç për pak fatlumtur, ishte edhe më e padrejtë dhe kriminale sesa kjo e sotmja. Nuk është faji i Tiranës që shqiptarët e dëshpëruar nga politikat e këqia të shumë qeverive në fshat dhe provincë, gëlojnë në Tiranë me shpresën se këtu mund edhe të shpresohet për një të ardhme. Tirana e socializmit ishte një mollë e ndalume. Pastaj, edhe për ata që gjoja ishin të privilegjuar dhe e shihnin Tiranën si të tyren, nuk është se Tirana ishte një parajsë. Ishte një qytezë e mbyllur ku bëhej një jetë stër-provinciale ndër më të varfërat e mediokret në botë, një qytezë që përdorej edhe për të ndëshkuar me heqjen e saj ata që se meritonin, dhe për të shpërblyer me dhënien e saj, njerëzit e Partisë. Kujtoni atë qoshkë, kafene, librari, shtëpi miqsh a kushërinjsh, sallë koncertesh a teatri, stol në park, apo çfarëdo pastë qenë referenca juaj më e bukur e Tiranës së shkuar. Kujtojeni me kujdes e deri në detaj. Jam e sigurtë që shihni ashtu si unë mungesë të së bukurës e të së nevojshmes, dhe mospërputhje të ambientit të krisur e të varfër me ndjesinë e ngrohtë që keni pasur. Çështja është që kujtimet janë gënjeshtare dhe e shkuara bëhet e bukur, sa më shumë largohet. Është më fort kështu, kur e sotmja zhgënjen e sjep shpresë. Gjithashtu, shpesh, nuk është Tirana në vetvete që kujtojmë me mall, por marrëdhënie e ekuilibre të caktuara njerëzore që sot
