Zgjidhja Meta e Berishës
Djegia edhe e raundit të dytë të votimit parlamentar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në dukje të jep përshtypjen e dërgimit të vendit në ngërçin politik të radhës dhe për pasojë në zgjedhje të parakohshme. Por duket se Berisha e ka ndarë mendjen për të bërë lojën e tij të ndyrë edhe kësaj here. Presioni i hapur dhe i vazhdueshëm ndaj opozitës dhe kreut të saj Edi Rama, gjasme për të shpëtuar vendin nga ngërçi politik dhe krijimi i një klime të paqëndrueshme politike, nuk është gjë tjetër veçse kalimi i procedurave dhe përfundimi i tre raundeve të para parlamentare, derisa loja të katandiset në fundin e saj, kur do nevojiten vetëm 71 vota deputetësh për të zgjedhur kreun e shtetit. Gjithçka e llogaritur më së miri nga Berisha. Ndërkohë, raundet e mëparshme do të kenë skualifikuar kandidatin e të djathtës Xhezair Zaganjori dhe atë të vetëofruarin Fatos Nano. Pikërisht ky do të jetë momenti i shumëpritur nga Berisha, i cili do i kërkojë aleatit të tij, Ilir Meta, të propozojë miken e ngushtë të Argitës, aktualisht gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese si kandidate për zgjidhje urgjente. Dhe Berisha i zënë ngushtë, dhe i ndodhur përballë presionit, (të cilin po e krijon pak nga pak artificialisht), në përpjekje për ti shpëtuar edhe krizës, do apo sdo, do e votojë. Me këtë ai iu mbyll gojën shqiptarëve duke iu argumentuar se ka votuar një kandidate të sjellë nga e majta, (asnjëherë Berisha nuk e ka quajtur LSI-në të djathtë); iu mbyll gojën të huajve duke iu argumentuar se ka votuar një femër dhe gjykatëse të nderuar; gëzon të tijtë duke ia bërë të ditur se edhe kësaj herë ka triumfuar; dhe së fundmi lë opozitën sërish me gisht në gojë. Njëkohësisht Berisha shpëton edhe nga Nano, të cilin e fut në një konflikt të ri me ish-partinë e tij, çka i shton atij pa frikë mundësinë për të vjedhur sërish zgjedhjet e pas një viti. Me këtë Berisha justifikon edhe maskarallëkun e hapur të shmangies së gjithë procesit të nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit, i cili i nevojitet Shqipërisë më shumë se kurrë, për të treguar pjekurinë e duhur politike në rrugën për integrim europian. Berisha ka menduar dhe përpunuar gjithë strategjinë prej kohësh. Kjo është e dukshme që nga momenti kur propozoi Zaganjorin, një person i njohur hapur si mbështetës i Berishës, jo vetëm për faktin që ka shërbyer si diplomat i tij, por edhe gjatë ushtrimit të detyrës së gjykatësit, ka treguar njëanshmëri të theksuar politike. Tashmë i mbetet opozitës të bëjë lëvizjen e radhës për ti dhënë drejtim situatës dhe për të mos rënë pre e lojës së pistë të Berishës
