Titujt e pronësisë, Avokati i Popullit kundër Qeverisë: Ligji është antikushtetues
TIRANE - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për titujt e pronësisë. Sipas tij, ligji për verifikimin e titujve të pronësisë është antikushtetues pasi shkel të paktën 5 nene të kushtetutës shqiptare. Zoti Dobiani i cili ka kërkuar shfuqizimin e këtij ligji, thotë se deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, ai duhet të pezullohet. Vendimi nga kjo gjykate pritet të merret më 22 shtator.
Dje Qeveria shqiptare bëri të ditur se ka anuluar disa tituj pronësie që ajo thotë se janë falsifikuar. Janë 68 mijë metra katrorë toke për të cilat qeveria shqiptare thotë se i ka çliruar nga zaptimi i paligjshëm. Sipas kreut të Komisionit Qeveritar të Tokës, zëvendëskryeministrit Genc Pollo, verifikimi i titujve të pronësisë i cili ka filluar në Fier dhe Vlorë, do të vazhdojë më tej në brezat turistike të vendit, ku mendohet të ketë abuzime të shumta. Më së shumti, këto toka janë ndarë duke abuzuar me ligjin 7501 për ndarjen e tokave, një ligj mjaft i debatuar në Shqipëri.