Kapen me armë, prangosen dy të rinj
VLORË - Dy të rinj nga Vlora janë vënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, pasi janë kapur me armë pranë një lokali. Siç bën me dije policia e Vlorës në pranga janë vënë Klodian Krekaj, 26 vjeç, banues në Drashovicë, i dënuar më parë për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentative", si dhe Areklon Zykaj, 23 vjeç, banues në lagjen "24 Maji", i dënuar dy herë më parë për vjedhje. Arrestimi i tyre është bërë për arsye se rreth orës 22:00, në lagjen "24 Maji", përpara ish-uzinës kaustike, në anë të rrugës përpara lokalit të një shtetasi, janë gjetur me armë duke qëndruar në makinë.
Të dy ata ndodheshin në makinën e Krekajt, "Benz" me targa VL 6171 B. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një armë zjarri automatik pushkë model 63 me numër 10219021, me tytë të prerë dhe krehër me 30 copë fishekë model 56 me kalibër 7.62 mm. Materialet i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Vlorës për veprën penale të "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Policia nuk ka dhënë asnjë detaj mbi përdorimin e mundshëm të armës.