Tjetër atentat me tritol makinës në lëvizje. Shpërthim dhe në Bulqizë, vrasje në Berat e Tiranë
(E PERDITESUAR)- Në Shkodër është kthyer makthi i përjetuar në Vlorë kur një makinë shpërtheu në lëvizje duke vrarë shoferin. Shpërthim ka pasur edhe në Bulqizë. Kurse në Tiranë e Berat janë shënuar dy vrasje. Kjo është panorama e Shqipërisë në më pak se 24 orë, në një ditë kur dështon për marrjen e statusit të vendit kandidat për shkak të ngërçit politik. Të tjerat i kemi në rregull.
SHKODER
Një shpërthim eksplozivi i telekomanduar ka vrarë kambistin Mark Gjoni, 50 vjeç, në qytetin e Shkodrës. Shpërthimi ka ndodhur në momentin kur viktima po lëvizte me makinën e tij për të shkuar në punë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 6 e 30 minuta në qendër të qytetit, pranë vendit ku ndodhen agjencitë e këmbimit valutor. Shtetasi Mark Gjoni, që është dhe vëllai i një efektivi policie, ka qenë duke lëvizur i vetëm në automjetin e tij tip Benz me targë SH 1465 E dhe në momentin që është afruar pranë vendit të punës, makina e tij ka shpërthyer. Kalimtarë të rastit e kanë nxjerrë 50-vjeçarin me shpejtësi nga automjeti, duke e dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës, ndërsa automjeti më pas është përfshirë nga flakët.
BULQIZE
Ndërkohë, shpërthimi i një sasie tritoli ka tronditur mëngjesin e sotëm edhe qytetin e Bulqizës.
Sipas informacioneve të fundit, sasia e eksplozivit ka shpërthyer para derës së një apartamenti, për fat të mirë pa shkaktuar të lënduar. Burime policore lokale njoftojnë se shpërthimi ka ndodhur para derës së banesës së shtetasit Adrian Durici, në katin e tretë të pallatit. Të njëjtat burime shtojnë se agjentë të anti-krimit kanë nisur hetimet, duke marrë në pyetje edhe vetë shtetasin Durici.
BERAT
Një i ri 33-vjecar ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri në një qendër interneti, në qytetin e Beratit. Mësohet se shtetasi Klodian Lumani ka ndërruar jetë në spital mëngjesin e sotëm, pasi është qëlluar mbrëmjen e së mërkurës. Sipas autoriteteve lokale, 33-vjecari është qëlluar me kallashnikov teksa ndodhej brenda qendrës së internetit. Burimet shtojnë se policia ka nisur hetimet dhe deri tani në komisariat agjentët e anti-krimit kanë shoqëruar 10 persona për ti marrë në pyetje.
TIRANE
Dy vëllezër u qëlluan me armë zjarri nga komshiu i tyre në rrugën Don Bosko në Tiranë. Nga të shtënat njëri prej vëllezërve humbi jetën. Vëllezërit Edmond dhe Arjan Tasha u qëlluan me armë zjarri pas një përleshje me fqinjin e tyre. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 18 e 15 minuta. Për fat të keq, edhe pse nga arma janë kryer tre qitje, njëra prej tyre ka prekur zemrën e viktimës. Të dy vëllezërit, u transportuan në spital, por njëri prej tyre, Edmondi, që kishte plagë më të rëndë ka ndërruar jetë. Autori i dyshuar i vrasjes, që banonte një kat më sipër është larguar nga vendi i krimit. Shkak kanë qenë konfliktet e vazhdueshme me njëri-tjetrin, për shkak të një borxhi të papaguar.