Tjetër kërkesë për pezullimin e kreut të policisë bashkiake
U desh shumë pak kohë që kreu i ri i policisë bashkiake të Tiranës të vihet nën akuzë dy herë për krime ndaj qytetarëve të thjeshtë. Florenc Hoxha, i akuzuar më përpara nga Këshilli i Europës për dhunë ndaj protestuesve të 21 Janarit, goditi dy punonjëse të bashkisë, të cilat ishin në detyrë. Pasi mbërriti si një gangster në sallën ku punonin ato, u tha të largoheshin, edhe pse nuk kishte mbërritur urdhri për largimin e tyre. Pasi ato kundërshtuan, ai i goditi ato. Dy gratë ngritën një padi ndaj tij dhe prokuroria kërkoi pezullimin nga detyra të Florenc Hoxhës. Por gjykata vendosi ndryshe, duke mos pranuar kërkesën e prokurorisë për pezullimin e Hoxhës. Ky i fundit u shfaq shumë i lumtur pas këtij vendimi, duke thënë se triumfoi drejtësia, edhe pse ndaj tij nuk kanë përfunduar hetimet.
Por kur ndaj tij nuk ka përfunduar një hetim, një tjetër ka nisur dhe prokuroria ka kërkuar sërish pezullimin e tij nga detyra. Mësohet se Florenc Hoxha akuzohet nga disa familjarë për prishjen e ndërtesave, për të cilat ato kishin dokument të rregullt. Hoxha u shfaq që kur mori detyrën me triumfalizëm duke prishur disa godina në Tiranë, të cilat kishin lulëzuar pa leje. Por nëse provohet se ai ka prishur edhe ndërtime të rregullta, ky do ishte një lajm shumë i rëndë për bashkinë e Tiranës dhe kreun e saj, që erdhi në pushtet me vota të manipuluara.