Wollfarth, krah opozitës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit
Eugen Wolfarth ambasador i OSBE-së në Tiranë, në një intervistë për Top Channel ka komentuar situatën politike në vend duke deklaruar se kthimi opozitës në parlament ishte një hap vendimtar dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, por sigurisht historia nuk mbaron vetëm me të qenit atje.
‘Është vetëm fillimi, – thote ambasadori OSBE-së – pasi duhet të zhvillohen diskutime konstruktive dhe të ekzistojë dëshira për t’u përfshirë në një dialog, për ta çuar vendin përpara e për të krijuar atmosferën e nevojshme për hapa konsensualë’.
“Një parlament duhet të funksionojnë në mënyrë profesionale dhe sigurisht që Rregullorja është e një rëndësie kyçe në këtë aspekt. Siç thashë edhe më herët, është çështje vullneti dhe pasja e një rregulloreje që siguron kushte të barabarta për qeverinë nga njëra anë dhe për opozitën nga ana tjetër përbën një ndër parakushtet për të pasur mundësinë për të punuar siç duhet në parlament. Në shumë vende, për të mos thënë në të gjitha vendet, në të gjitha parlamentet apo Kuvendet, në Bundestagun gjerman, apo në Parlamentin Evropian, rregulloret zakonisht janë konsensuale. Në Shqipëri, mendoj se ka ardhur koha për t’iu rikthyer një rregulloreje konsensuale, por sigurisht që duhet sqaruar nëse është më mirë të fillohet nga Rregullorja e vjetër e 2005-ës, apo nëse duhen shtuar elemente të tjera. Sidoqoftë, Rregullorja është sigurisht thelbësore”, tha ambasadori Wolfarth.