Tjetër paradoks i censusit, jetojmë në qytet, punojmë në bujqësi (?!)
Paradokset e regjistrimit të popullsisë nuk kanë të sosur.
Kështu, Shqipëria për herë të parë quhet një vend urban, pasi shumica e popullatës sipas censusit jeton nominalisht në qytete. Por paradoksi është se shumica e shqiptarëve zyrtarisht janë të vetëpunësuar në bujqësi. Këto janë të dhënat e Institutit të Statistikave.
Të dhënat janë analizuar nga Top Channel. Kështu, nga censusi i zhvilluar në tetor, rezultoi se në Shqipëri jetojnë 2.83 milionë njerëz, nga të cilët, 1.52 milionë ose 54 për qind, jeton në qytete. Por për vitin 2010, të dhënat e INSTAT tregojnë se në Shqipëri ka 916 mijë vetë të punësuar, nga të cilët, 506 mijë vetë ose 55 për qind, klasifikohen si të punësuar në sektorin privat bujqësor dhe 410 mijë vetë rezultojnë të punësuar në sektorin modern, pra janë të punësuar nga shteti ose në sektorin privat jobujqësor.
Manovra e INSTAT për ti quajtur shqiptarët të vetëpunësuar në bujqësi, është një hile e turpshme që synon të fshehë numrin real të të papunëve në vend. Duke i quajtur shqiptarët të vetëpunësuar në bujqësi, qeveria mbyll me fjalë një hendek të madh që është krijuar dhe po zgjerohet.