Tjetër tragjedi në La Mansh – Fundoset gomonia, 8 emigrantë humbin jetën

8 persona kanë mbetur të vdekur në orët e para të mëngjesit ndërsa po kalonin përmes Kanalit të La Manshit nga Franca në Angli. Siç shkruajnë mediat franceze, gomonia me shumë se 50 persona nisi të fundosej pak kohë pasi ishte larguar nga bregu.
Një anije shpëtuese franceze u dislokua në atë zonë dhe shërbimet e shpëtimit ofruan ndihmë mjekësore për 53 emigrantë që u nxorën në breg, u tha në deklaratën e autoriteteve detare të Francës.
“Pavarësisht ndihmës emergjente të ofruar, tetë persona kanë vdekur”, u tha në njoftim. Në njoftim u shtua se asnjë person tjetër nuk është gjetur gjatë kërkimeve në det. Kjo tragjedi pason atë të para dy javëve ku 12 persona u mbytën, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Autoritetet detare franceze njoftuan të shtunën se përpjekje të shumta nga emigrantët për të bërë kalimin e rrezikshëm me varka të vogla janë tentuar ditët e fundit, me 200 njerëz të shpëtuar në 24 orë vetëm gjatë të premtes dhe të shtunës. Sipas zyrtarëve britanikë më shumë se 22,000 emigrantë kanë mbërritur në Angli duke kaluar Kanalin që nga fillimi i këtij viti.
/RTSH/