E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetërsimi i tokës bujqësore, vetëm me vendim qeverie

Këshilli i Ministrave vendosi dje kritere të reja për ndryshimin e kategorive të tokës

Personat që disponojnë tokë bujqësore tashmë mund të kenë mundësinë ta kthejnë atë në tokë truall për ndërtime dhe po kështu për ta shfrytëzuar për veprimtare minerare, gjeologjike, si dhe për gurore e kariera. Vendimi i djeshëm i qeverisë bën të mundur ndryshimin e kategorive të tokës dhe detajon procedurat për ligjërimin e këtij veprimi me vendim të Këshillit të Ministrave apo me ligj. Kështu, sipas vendimit të ri, subjektet që janë të interesuara për ndryshimin e statusit të tokës së tyre nga bujqësore në truall ose për shfrytëzime të tjera, fillimisht duhet të paraqesin një kërkesë në ministrinë përkatëse. “Subjektet e interesuara për ndryshim të kategorisë së resursit të tokës bujqësore, nga V deri në X të bonitetit, për kalimin e tyre në tokë urbane (truall), në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike, për gurore dhe kariera, paraqesin kërkesë në ministrinë përkatëse që mbulon këtë veprimtari. Kërkesa paraqitet sipas dispozitave të legjislacionit për planifikimin e territorit”, theksohet në vendimin e djeshëm. Kjo kërkesë duhet të përmbajë edhe vërtetimin për kategorinë e tokës sipas bonitetit për sipërfaqen objekt kërkese, të lëshuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në këshillin e qarkut. Më pas është ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, merr paraprakisht mendimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe përgatit vendimin e Këshillit të Ministrave, kur kërkesa ka për objekt sipërfaqe toke deri 30 hektarë. Nga ana tjetër, kjo ministri ka të drejtë të përgatisë edhe një ligj për këtë çështje, kur kërkesa e personit ka për objekt sipërfaqe toke mbi 30 hektarë. E njëjta procedurë parashikohet nga qeveria edhe në rastet kur toka bujqësore kërkohet për ndërtime, por vendimi i qeverisë thekson se kjo ndodh vetëm në raste të domosdoshme. Po kështu procedura të ngjashme vendimi parashikon edhe rregullat që personat fizikë apo juridikë duhet të ndjekin në rast se kërkojnë të ndryshojnë kategorinë jo vetëm të tokës bujqësore, por edhe të tokave të tyre pyjore ose të pafrytshme. Nga ana tjetër, vendimi i qeverisë parashikon edhe rregullat që duhet të ndiqen për përditësimin e dokumentacionit, në mënyrë që këto vendime të kthehen ligjore. Nga ana tjetër, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, qeveria shfuqizon vendimet e mëparshme për “Procedurat për ndryshimin e kategorizimit të resurseve”, të vitit 2002 dhe atë për “Mënyrat e ushtrimit të funksioneve nga seksionet e administrimit dhe mbrojtjet së tokës në qark dhe zyrat e menaxhimit e mbrojtjes së tokës në komunë dhe/ose bashki”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›