Komandot Eagle-1 drejt rreziqeve të Afganistanit

Ishim “dejure” në NATO, por asnjëherë nuk na ishin besuar veprime në terren në misionet paqeruajtëse. Kjo për faktin se ushtria shqiptare duhet të kalonte testin dhe të trajnohej për kryerjen e veprimeve luftarake. Deri dje kemi qenë në përbërje të aleancës për ruajtjen e paqeve të brishta në Afganistan e vende të tjera, por detyrat që kryenim ishin ato të ruajtjes së objekteve, apo dhe veprimeve në sektorët mbështetës. Vetëm dje paradite themi se ushtarakët tanë kanë ndier se misioni i tyre ishte tepër i veçantë, pasi përcillej kontingjenti paqeruajtës “Eagle-1”, i cili do të kryejë misionin e tij në terren, në Kandahar të Afganistanit. Për të parën herë paqeruajtës shqiptarë do të angazhohen në operacione luftarake përkrah forcave amerikane. Madje, duke ditur shkallën e lartë të vështirësisë për kryerjen e detyrës, në drejtim të këtij kontingjenti është vënë komandanti i Batalionit Special, nënkolonel Dritan Demiraj. Kjo është eksperienca e parë e oficerëve shqiptarë në drejtimin e operacioneve të mirëfillta luftarake. Pjesëtarët e këtij kontingjenti hynë tashmë në historinë e angazhimeve mbi 15-vjeçare të Forcave tona të Armatosura, si njësia e parë që do të realizojë detyra operative jashtë vendit. Kontingjenti paqeruajtës “Eagle-1”, përbëhet nga 44 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë, efektivë të Batalionit Special të Forcave Tokësore. Trupat e këtij kontingjenti kishin kohë që përgatiteshin me një program special në përshtatje me detyrat që do të kryejnë në zonat e luftimit në Kandahar. Ato janë trajnuar nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e një ekipi ushtarakësh amerikanë, të cilët kanë përvojë në këto lloj operacionesh. Afati i qëndrimit të tyre në këtë mision është 6 muaj.
Ushtarakët u përcollën me një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Qendrës Kulturore të Ushtrisë në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, zv.ministrat e Mbrojtjes, Ekrem Spahiu dhe Zana Xhuka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura dhe familjarë e të afërm të paqeruajtëseve.
Duke iu drejtuar trupave të kontingjentit paqeruajtës “Eagle-1”, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, tha: “Si ministër i Mbrojtjes, unë kam një porosi: Tregohuni burra shqiptarë, trima e të besës; veproni me ashpërsi, por pa urrejtje ndaj armikut; bëni detyrën tuaj dhe tregohuni zemërmëdhenj me një popull që prej 30 vjetësh po vuan tmerret e luftës; dëgjoni, binduni urdhrave të eprorëve, mendoni dhe ndihmoni në çdo rrethanë njëri-tjetrin”. Ministri Imami shprehu bindjen e tij se trupat paqeruajtëse që nisen në këtë detyrë të vështirë do ta kryejnë me sukses të plotë misionin e tyre dhe do të kthehen shëndoshë e mirë dhe me dinjitet në atdheun e tyre dhe pranë familjeve të tyre.
Në këtë ceremoni përshëndeti edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj, i cili tha se kontingjenti “Eagle-1” ka hyrë tashmë në historinë e angazhimeve mbi 15-vjeçare të Forcave tona të Armatosura, si njësia e parë që do të realizojë detyrën operative jashtë vendit. “Pjesëmarrja drejtpërsëdrejti në luftime e trupave shqiptare do të rrisë kapacitetin dhe nivelin operacional të angazhimit të tyre, çka shënon hop të ri cilësor të pjesëmarrjes ushtarake në kuadër të Aleancës. Ne jemi të ndërgjegjshëm për shkallën e lartë të vështirësisë që paraqet pjesëmarrja në një mision të tillë, por jemi të përgatitur për të përballuar me sukses sfidat që do të hasim gjatë kryerjes së detyrave tona dhe kjo mbështetet në nivelin e lartë të përgatitjes së ushtarakëve tanë”, tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së.
Më pas, Kryeministri Berisha i dorëzoi Flamurin Kombëtar komandantit të kontingjentit “Eagle-1”, nënkolonel Dritan Demiraj. Ceremonia përfundoi me një foto të përbashkët të Kryeministrit Berisha, ministrit Imami dhe personaliteteve të tjerë të pranishëm në ceremoni me trupat e kontingjentit që niset me mision në Kandahar të Afganistanit.
#