E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka është blu si një portokall

Teatër - Dy fjalë për shfaqjen "Këngëtarja Tullace" e Eugene Ionescos. Një lojë e freskët e aktorëve, një skenografi që i lë vend lojës, pastaj fjalë të thëna me një sinqeritet, një tërkuzë e ndërtuar me shije dhe finesë nga Spiro Duni dhe i gjithë kasti, ashtu siç e meriton Ionesco.


Kur Spiro Duni, regjisori dhe miku i dashtun, regjisor ndër të paktët që fatin dhe jetën e tij e ka lidhur me teatrin, më tha se kishte vendosur të vinte në skenë "Këngëtaren tullace" mendova: "Oh, Eugen Ionesco! Çfarë kënaqësie!"


E kjo sepse ky autor i madh i tetarit të absurdit (teatrit të ri), është njëkohësisht një prej atyre autorëve prej të cilit kam mësuar aq shumë, prej të cilit jam frymëzuar dhe argëtuar jashtë mase dhe se me Spiron kishim punuar para tre vjetësh bashkë gjithë pasion me pjesën time "Drejt perëndimit".


Në ambientet teatrore shqiptare thuren shpesh muhabete absurde kundër teatrit të absurdit, se ç'janë ca tipa që nuk di ku e kanë marrë autoritetin dhe seriozitetin a kush jua ka dhënë borxh, që e trajtojnë teatrin e absurdit si trajtoheshin dikur shfaqjet mikroborgjeze, flokët e gjata apo favoritet.


Por përtej kësaj, festa me Ioneskon u paraqit në Teatrin Kombëtar në korrik e më pas gjatë mesit të tetorit e prodhuar nga Studio e Teatrit "Po" dhe Teatri Kombëtar, dhe përkundër të gjithë muhabeteve, salla u mbush plot për tre arsye, së pari Ionesko, së dyti Spiro Duni së treti një kast shumë i mirë aktorësh.


Dhe të mendosh që është nja nga pjesët më të vështira të Ionescos, e prapë sërish publiku e don teatrin e ri, sepse tashmë kanë kaluar 20 vjet dhe publiku është rinuar, në kuptimin e shijeve. Është një publik që pret të surprizohet e të argëtohet nga një pjesë me personalitet e jo të mërzitet nga tipat seriozë, me autoritet të marrë borxh kushedi ku.


Një lojë e freskët e aktorëve, një skenografi që i lë vend lojës, karrige dhe asgjë më shumë, pastaj fjalë, fjalë të thëna me një sinqeritet fëmijësh, pa teatralitet të tepërt, një tërkuzë e ndërtuar me shije dhe finesë nga Spiro Duni dhe i gjithë kasti, ashtu siç e meriton Ionesco.


E them këtë sepse teatri i stilit absurd mund të keqkuptohet kollaj, në fakt siç mund shpesh të keqkuptohet çdo autor gjenial. Nënteksti, ironia, grotesku dhe vetëtallja, janë delikate dhe rrëshqasin, dykuptimësia, absurdi, për më tepër gjithçka zhvillohet brenda një akti, janë elemente që nëse nuk thithen mirë krijojnë humnera estetike, këto cilësi jo klasike që duan mjaft frymëzim, fantazi dhe sens të zhvilluar humori.


Inonesco është me origjinë rumune, ai u vendos në Francë herët ne moshën 26-vjeçare. Këtë vepër e nisi pasi filloi të mësonte anglisht nga një metodë Essential. Është si të frymëzohesh nga mendja e atyre që formulojnë abetaret, këtë herë një abetare angleze plot me humor anglez!


Mendje të cilat u mësojnë fëmijëve se dielli është i verdhë, molla është e kuqe, se supa me karota të bën mirë dhe se qielli është blu (kulmi ka ndodhur në një prej abetareve tona, "kur semafori është i kuq lejohet kalimi dhe se kur është jeshil ndalohet").


Ky sinqeritet i të rriturve që i qaset me demek naivitetit të fëmijëve, që kurrsesi nuk janë aq fëmijë sa pretendohet (tim biri Abelit shpesh i tregoj përrallën e shpikur shtatë borëbardhat dhe xhuxhi, dhe ai mban barkun me dorë) është në vetvete absurd, është një këngëtare tullace, mos të thuash memece! Por Ionesco nuk do të na e thotë drejtpërdrejt, por si siç do të na thoshte Paul Éluard "Toka është blu si një portokall".


E gjithë kjo pasqyrohet edhe në këndvështrimin regjisorial të Spiro Dunit, personazhet janë të rritur por luajnë si fëmijë, sepse gjithnjë janë trajtuar si fëmijë, lojërat logjike si "Nëse bie zilja, do të thotë se dikush është pas dere", dhe nëse bie zilja siç ndodh në pjesë asnjeri nuk është tek dera, tregojnë në fakt absurditetin e dijes së brishtë njerëzore, brishtësinë e definicioneve logjike, absurditetin e arsyetimit teorik, pasi jeta në të vërtetë është e gjallë dhe plot surpriza, mungesë komunikimi dhe hipokrizi boshe, që fsheh në thelb absurdin e gjykimit dhe absurdin e botës.


Në fund me mjeshtëri regjisori e bën krejt të dukshme këtë, duke i dhënë shfaqjes një mbyllje tërësisht fëmijërore e të pafajshme, gati poetike, lojën me karrige (përdor skenografinë dhe e kthen në lojë) dhe po ashtu mbushur me poezi me rrimë si "Shi shi, laka shi hipi plaka në mulli..." etj.


Ky detaj përmbyllës e shkrifton krejtësisht ngërçin e absurdes së të rriturve duke e çuar shfaqjen drejt një sinqeriteti fëminor, ngazëllimeve naive, qeshjeve pa shkak në një ton argëtues dhe plot lëvizje të hareshme.
Gjatë gjithë pjesës dëgjohet një tam tam, ritëm i fshehtë e i nëndheshëm fjalësh, ngjarjesh, dhe konfliktesh që nuk shpërthejnë asnjëherë, sepse nëse komunikimi është shkatërruar atëherë asgjë nuk ndodh më.


Por gjithsesi ka një muzikë të bukur që e shoqëron pjesën, një muzikë fjalësh që rrokulliset plot hijeshi retorike, pa pikë patetizmi, dhe me shumë humor, si një valle rreth zjarrit, krejtësisht naive, që tregon se njeriu në thelb është një qenie joserioze për fat të mirë, kështu ai e ka mundësinë të dalë nga qerthulli i idiotësisë që i imponojnë tipat seriozë të cilët me kollaret e tyre i shkaktojnë herë pas here, dëme po ashtu shumë serioze të gjithë njerëzimit.
*Citohet poeti frëng Paul Éluard


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›