E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk do të ketë zgjedhje pa pasur zgjidhje

Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se opozita nuk heq dorë nga kërkesa e saj për të bërë transparencë


"Në PS gjërat janë të qarta, ka rregulla dhe vendimi për të mos marrë pjesë në Parlament është vendim i grupit"


TIRANË - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje se nuk do të ketë zgjedhje pa zgjidhje. I ftuar në emisionin "5 pyetje nga Babaramo", kryetari i opozitës ka theksuar edhe njëherë se, zgjedhjet e 28 Qershorit prodhuan një Parlament dhe një qeveri pa legjitimitet, duke sjellë një situatë të re politike. "Sot jemi në një situatë politike krejt të ndryshme, që në themel ka hedhjen në erë të procesit zgjedhor.


Në këto kushte, lind vetvetiu pyetja që ne do t'i japim çdo ditë e më shumë përgjigje se çfarë e çoi pushtetin dhe Sali Berishën në këtë akt, që është kundra interesave të vendit. Pse ky pushtet kërkoi dhe bëri gjithë ato hapa në kundërshtim me ligjin, me parimet dhe normat demokratike për t'u ricikluar.


Mesa duket kjo u bë për shkak të konfliktit të interesave të kryeministrit dhe familjes së tij me interesat e vendit dhe të njerëzve. Mesa duket ky është një konflikt që degradoi gjithë procesin zgjedhor dhe që opozita duhet ta zgjidhë me forcë dhe pa kompromis", - tha Rama.


Bojkoti i PS-së

I pyetur se sa kohë do të zgjasë bojkoti i opozitës, Kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh: "Ne kemi bërë disa kërkesa për të zgjidhur një krizë që sot është në themel të shtetit demokratik, kriza e legjitimitetit të institucioneve të shtetit të dala nga zgjedhjet e 28 Qershorit.


Nuk do të ketë zgjedhje të tjera demokratike, nëse nuk bëhet transparenca e procesit të 28 Qershorit dhe nëse nuk dalin përgjegjësitë e shkeljeve të bëra gjatë këtyre zgjedhjeve.


Ne kërkojmë që t'i japim fund traditës së shëmtuar dhe të padenjë për popullin shqiptar të zgjedhjeve të kontestuara dhe të manipuluara". Kryetari i PS-së sqaroi se, opozita nuk kërkon gjë tjetër veçse hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencën e votave dhe listave të zgjedhësve. "Ne kërkojmë të shohim faktet. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk e pengon hapjen e kutive.


Ne e kemi të shkruar në ligj se dy anëtarë të KQZ-së me kërkesën e tyre mund të hapin kutitë dhe kjo nuk është zbatuar. Prandaj, Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk mund të fshihen pas këtij vendimi.


Ndaj, hapja e kutive janë sot domosdoshmëri",- tha ai. I pyetur nëse opozita do të marrë ose jo pjesë në zgjedhjet e ardhshme, në rast se kutitë e votimit nuk hapen, kryetari i PS-së u shpreh se, kjo është një çështje, që opozita po e ndjek dita - ditës.


"Nuk është problemi nëse do të hyjmë në zgjedhjet e ardhshme apo jo, pasi ne nuk jemi këtu spektatorë të një procesi që privatizohet nga Sali Berisha. Jo zotëri, nuk është se ne nuk do të hyjmë në zgjedhjet e ardhshme, por nuk do të ketë zgjedhje, pa pasur zgjidhje",- tha ai.


Lëvizja ndryshe në PS


Kryetari i PS-së, Edi Rama, është pyetur edhe për qëndrimet e disa deputetëve të përfshirë në Lëvizjen e ashtuquajtur për Mendim Ndryshe, sipas të cilëve, ata mund të marrin vendimin për të thyer bojkotin e PS-së.


"PS-ja është e gatshme të pranojë çdo zë ndryshe, jo vetëm në PS, por kudo. Por, kjo nuk do të thotë aspak se në rastin konkret kemi grupe, lëvizje të gjitha këto të krijuara për lehtësi komunikimi nga mediat apo nga vetë zërat. Kjo nuk është çështje e dorës së parë.


Në PS gjërat janë të qarta dhe ka rregulla. Vendimi për të mos marrë pjesë në Parlament është vendim i grupit parlamentar, ndaj unë nuk kam të drejtë të paragjykoj",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›