Dëshmia e vrasësit: Gruaja shfrytëzonte mbesat e mia
VLORË/ Shezai Zhabaj ka rrëfyer se viktima e tij ia përdorte mbesat jo vetëm si kamariere. Policia: Autori, me probleme
VLORË - "Donte të përdorte mbesat e mia, prandaj dhe e qëllova". Ky ka qenë deklarimi që autori i vrasjes së Stoli Sherajt ka dhënë fill pas mbërritjes së tij në ambjentet e komisariatit të Vlorës. "Kishim bërë edhe më parë debate për këtë.
Ajo m'i shfrytëzonte mbesat dhe për këtë jemi zënë edhe herë të tjera", tha Shezai Zhabaj (i njohur si Xhezo Habilaj). Autori i krimit të rëndë, i cili qëlloi me plumba kallashnikovi mbi një ish-bashkëfshataren e vet, ka këmbëngulur fort në këtë version, edhe pse deklarata është marrë jo pa rezerva nga blutë, për shkak të gjendjes së rënduar psikike që ka shfaqur autori.
Krimi i kryer në qetësi të plotë hedh dritë mbi një skenar të paramenduar mirë, për të cilin specialistët e drejtorisë së policisë së Vlorës ende po hetojnë. Gjithsesi, në deponimet e autorit, hera- herës gjërat kanë rënë ndesh me detaje të mëparshme hetimesh, çka ka bërë që pyetësorët ndaj tij të përsëriten disa herë për të zbardhur më mirë motivet, por edhe të vërtetat e lidhjeve mes viktimës, autorit dhe familjarëve të këtij të fundit.
Siç mësohet nga burimet e policisë, mbesat e autorit të ngjarjes kanë qenë të punësuara te Sheraj, në barin të cilin ajo e kishte marrë me qira.
Marrëdhëniet mes dajës dhe mbesave duket se nuk kanë qenë fort të qëndrueshme, sidomos së fundmi, çka ka sjellë dhe rritjen e nervozizmit të tij. Ai ka vlerësuar si pengesë për këtë Sherajn dhe marrëdhëniet mes tyre kanë ardhur gjithmonë e duke u tensionuar.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se gjatë dëshmisë së tij, autori i vrasjes e ka përligjur veprimin me faktin se ish-bashkëfshatarja ia kishte përdorur mbesat jo vetëm si kamariere, por për të joshur edhe klientët që frekuentonin barin.
Gjithsesi, fakti është mohuar prej vetë familjarëve të 45-vjeçarit Zhabaj (Xhezo Habilaj), pyetur pas ngjarjes nga policia. Njëra prej tyre madje ka pohuar se nuk donin të kishin të bënin fare me dajën, pasi ai ishte njeri jo fort normal.
Po sipas burimeve bëhet me dije se edhe pak kohë më parë kishte pasur denoncime nga autori për Sherajt, por asgjë nuk është arritur të faktohej, përveçse sqarimit të marrëdhënieve të ngatërruara dhe konfliktuale mes familjarëve dhe të njohurës së tyre Sheraj. Ata janë grindur dhe më parë, ndërsa gjithçka është mbyllur fatalisht nga 45-vjeçari, nëpërmjet gjuhës së plumbave.
Shezai Zhabaj u vu në pranga rreth orës 21:15 të së martës në fshatin Kalivaç të Tepelenës. Pas largimit të tij nga vendngjarja autori mori peng me armë shoferin e një automjeti tip "Tojota" me targa VL 1770 C, të cilën e drejtonte shtetasi B. Mema.
Nën presionin e armës ai e ka detyruar që ta çojë deri në fshatin Povel, ku dhe i ka marrë dhe një telefon "Nokia" dhe 3 000 lekë të rinj e më pas e ka lënë të largohet. Në momentin e arrestimit ai ka pasur me vete edhe armën e krimit. Akuzat e ngritura ndaj Zhabajt janë "vrasje me paramendim", "armëmbajtje pa leje", "rrëmbim dhe mbajtje peng personi" dhe "vjedhjes me armë".