E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat dhe pronat në bregdet, sa janë çmimet reale që ofrohen nga pronarët



Ervin Koçi

Bregdeti shqiptar dhe zonat turistike pranë tij janë kthyer sërish në tregun më të madh të shitblerjeve, ku si tokat, ashtu dhe pronat e gatshme (apartamente, lokale etj.) kanë hyrë në “bursën” shqiptare dhe po kuotohen jo pak. Ky vit, sa u përket çmimeve të shitjeve të pronave të ndryshme të patundshme në zonat turistike, ka shënuar rekorde të reja. Lajmin për gazetën “Albania” e konfirmojnë si burime nga agjenci private imobiliare, ashtu dhe institucione shtetërore si Banka e Shqipërisë apo dhe Ministria e Punëve Publike. Në një material të publikuar zyrtarisht nga kjo e fundit kemi arritur të nxjerrim edhe zonat që janë në “top-listën” e atyre vendeve ku do të zhvillohen projektet më ambicioze të rregullimit të territorit dhe të shfrytëzimit të resurseve turistike. Mjafton t’i hedhësh një sy atij që konsiderohet si drafti i “Planit për zhvillimin e bregdetit jugor të Shqipërisë”, i publikuar prej MPPTT-së, dhe kupton mjaft mirë se cilat do të jenë zonat prioritare për zhvillimin e këtij bregdeti dhe se ku do të marrë hov zhvillimi i turizmit në vendin tonë. Por më mirë dhe më parë sesa ne, këtë duket se e kanë kuptuar ndërtuesit dhe pronarët e trojeve në bregdet, të cilët kanë nisur të kuotojnë fort në “bursën” e pronave të paluajtshme si tokat, ashtu dhe objektet e gatshme që i kanë nxjerrë në shitje. Aq i shpejtë është ky transaksion imobiliar, sa parashikimet për vitin 2009 flasin se çmimet do të vijojnë rritjen për ndërtesat elitare, aq sa pritet të shkojë në nivelet e Malit të Zi.

Zgjerimi i tregut

Çmimet e apartamenteve kanë nisur të pësojnë rritje të ndjeshme nga Shëngjini, në Durrës e deri në Sarandë, ku rritja më e madhe u përket dy qyteteve kryesore, Durrësit dhe Vlorës. Duke parë këtë situatë mund të mendohet se bregdetit shqiptar duket se i është kthyer “shkëlqimi” i viteve 2000-2004, ku flukset e blerjeve të apartamenteve ishin vërtet të mëdha. Agjentët imobiliarë në zonat bregdetare konfirmojnë se blerësit po trokasin sërish dhe ata janë kryesisht emigrantë dhe të huaj. Kaq ka mjaftuar dhe kompanitë e ndërtimit i kanë rritur çmimet me një rritje mesatare 20-40 për qind. Të dhënat e mëtejshme nga agjentët imobiliarë flasin për një investim të parave në banesa dhe ambiente tregtare, të cilat mbeten nga më fitimprurësit ndër vitet e fundit. Një investim i tillë ka paraqitur kthime të larta, veçanërisht përsa i përket kryeqytetit, por edhe zonave të tjera që kanë një infrastrukturë të ngritur tashmë. Gjatë 5 viteve të fundit, sipas të dhënave zyrtare, çmimi i një banese minimalisht është dyfishuar. Por nga të dhënat në terren, rritja është edhe më e madhe. Mesatarisht, çmimet e banesave rriten 25 për qind në vit.

Parashikimet e BSH-së

Sektori i ndërtimit duket se ka dalë jashtë parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, e cila vlerësoi se rritja e çmimeve të banesave, matur nga indeksi i çmimeve të banesave të llogaritur nga ky institucion, ka dhënë shenjat e para të ngadalësimit gjatë muajve të parë të vitit 2008, pas një periudhe 3-vjeçare me ritme shumë të larta rritjeje. “Rritja vjetore e indeksit ka shënuar rënie të theksuar në tremujorin e parë të vitit 2008 (rreth 0.5%) pas një norme vjetore prej rreth 17 përqindësh, në tremujorin e katërt të vitit 2007. Ndryshimi i këtij indeksi nga tremujori i katërt i vitit të kaluar ishte 14.4 për qind. Kjo normë përbën dhe rënien 3-mujore më të theksuar që nga fillimi i vitit 1998”,- thuhet në deklaratën zyrtare të BSH-së. Zbutja e ritmit të rritjes së çmimeve të shitjes mund të ketë ardhur si pasojë e rritjes së numrit të lejeve të ndërtimit, e cila nënkupton një rritje të afërt të ofertës së banesave. Zhvillimet në kostot e ndërtimit kanë ndikuar pak në zhvillimet e çmimeve të banesave, pasi indeksi i kushtimit të ndërtimit paraqitet me një rritje konstante rrotull vlerës 2 për qind, që prej tremujorit të katërt të vitit 2004. Megjithatë kjo tendencë duket se ka ndryshuar në 3-mujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, si rrjedhojë dhe e nxitjes së kërkesës nga emigrantët. Edhe të huajt po shfaqin më shumë interes për pasuritë e paluajtshme në Shqipëri, që nga marsi i këtij viti, kur Shqipëria mori ftesën për në NATO.

Qytetet bregdetare me çmimet më të larta të banesave

1. Vlora
Çmimet e apartamenteve në qytetin e Vlorës janë rritur rreth 35 për qind, krahasuar me 2 vjet më parë, kohë kur në Vlorë mund të blije një apartament edhe 400 euro m2. Sot çmimi minimal i metrit katror për një apartament është 550 euro, ndërkohë që maksimali shkon në 800-1000 euro/m2.

2. Durrësi
Nëse në 2006-n në qytetin bregdetar të Durrësit çmimet e apartamenteve turistike nuk e kalonin maksimumin 500 euro/m2, ndërkohë që minimumi mund të arrinte edhe në 300 euro/m2, sot çmimi i ndërtimeve që janë me pamje nga detit është rreth 900 euro/m2, ndërsa ai minimal është 450-500 euro.

3. Saranda
Çmimi i apartamenteve lëviz nga 550-800 euro/m2, kjo në varësi të zonës në të cilën ndodhet objekti. Në krahasim me 2 vjet më parë çmimet rezultojnë 10-20 për qind më të larta, ku çmimet ishin 500-650 euro.

Pasuritë e paluajtshme, çmimet në bregdet

1. Nga 40-200 euro/m2 është çmimi i trojeve në bregdet.

2. Nga 450-900 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në Durrës.

3. Nga 800-1200 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në fshatrat turistike të Durrësit.

4. Nga 650-1000 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në bregdetin e Vlorës.

5. Nga 550-800 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në bregdetin e Sarandës.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›