E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlora, qyteti me ndërtime luksoze dhe prona të shtrenjta



Nëse 2 vjet më parë në qytetin bregdetar të Vlorës ishte vënë re një rënie e shitjeve të apartamenteve në bregdet, sot po ndodh e kundërta. Investitorë dhe individë të ndryshëm janë drejtuar në bregdetin e Jugut për të blerë troje dhe apartamente. Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare, “çmimet e apartamenteve në qytetin e Vlorës janë rritur rreth 35 për qind krahasuar me 2 vjet më parë, kohë kur në këtë qytet mund të blije një apartament edhe me 400 euro/m2”. Sot çmimi minimal i metrit katror për një apartament është 550 euro, ndërkohë që maksimali shkon në 800 apo dhe 1000 euro/m2. Agjentët imobiliar në këtë qytet thonë se, në vitet 2006-2007, tregu i banesave në qytetin e Vlorës pati disa ndryshime të konsiderueshme. Në shumë ndërtime u vërejt përmirësim i cilësisë së punimeve jo vetëm nga pikëpamja arkitekturore, por edhe në anën funksionale të tyre me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të përbashkët me ashensorë cilësorë, etj. Struktura e blerësve tashmë dominohet si gjithmonë nga emigrantët tradicionalë perëndimorë dhe imigrantët (nga pjesa e brendshme e vendit dhe kryesisht nga qytete si Tepelena, Berati, Fieri e deri nga Korça), e më pas vijojnë ata që duan një zgjerim sipërfaqeje banimi. Një fenomen që po vihet re së fundi është dhe blerja nga të huajt, sidomos ata nga Europa Perëndimore. Mbërritja e tyre duket se ka qenë edhe shtysa kryesore që ka rritur me shpejtësi çmimet e apartamenteve në bregdetin vlonjat. Ndërsa përsa u përket qirave në qytetin e Vlorës, një apartament 1+1 me mobilim modest ka një qira mujore për afatgjatët 10.000-15.000 lekë, ndërsa garsonierat dhe apartamentet për plazh kanë një qira 15 ditore 22.000-28.000 lekë në verë.

Durrës, rikthehet kërkesa për apartamente, lokale dhe troje

Plazhi i Durrësit është pa dyshim më i zhurmshmi dhe me ndërtime kaotike si pallate shumëkatëshe, apo ndërtesa ende në karabina. Kudo syri të kap ndërtime dhe pallate të reja që janë në ndërtim e sipër. Tabela e postera të mëdha që të njoftojnë se në pallat ka apartamente të lira, me qëllimin për të joshur klientelën. Por, me gjithë këtë situatë, sipas ndërtuesve ka mjaft interes për të ndërtuar, i cili po shoqërohet me interesin për të blerë. Sipas të dhënave nga agjencitë e qytetit, çmimet janë rreth 40 për qind më të larta se dy vjet më parë. Nëse në 2006-ën në qytetin bregdetar të Durrësit çmimet e apartamenteve turistike nuk e kalonin maksimumin e 500 euro/m2 (ndërkohë që minimumi mund të arrinte edhe në 300 euro/m2), sot çmimi i ndërtimeve që janë me pamje nga deti është rreth 900 euro/m2, ndërsa ai minimal është 450-500 euro. Më të preferuara janë apartamentet me pamje nga deti, në të cilat pavarësisht se më të shtrenjta, vështirë se mund të gjesh ndonjë hyrje që nuk është shitur ende. Në zonën e Durrësit janë të shumta pallatet e ndërtuara, ndërkohë që nuk mungojnë as komplekset e mëdha. Me gjithë problemet, si mungesa e infrastrukturës dhe ujit të pijshëm, qyteti vazhdon të frekuentohet bindshëm nga turistët, çka po rrit edhe çmimin e apartamenteve. Numri i ndërtimeve në plazh është mjaft i madh, por edhe i atyre që blejnë gjithashtu. Janë gjithashtu të shumtë edhe ata që e kanë blerë apartamentin në plazh si “të parë”, domethënë për banim të përhershëm. Në fshatrat turistike pranë zonës së Malit të Robit, çmimi i një metri katror është mjaft më i shtrenjtë se në plazhin e Shkozetit. Ai varion nga 1000-1200 euro/m2. Këto fshatra ofrojnë shumë më tepër se apartamentet pa strukturë në bregdet, që nga hapësirat e gjelbra e deri në pishinat, por përsëri dhe këtu problem mbetet uji i pijshëm.

Saranda, rriten ndjeshëm këtë viti çmimet e apartamenteve

Për çmime të larta në pasuri të patundshme nuk mbetet mbrapa as qyteti i “40 Shenjtorëve”, Saranda, me një vijë të lakmueshme bregdetare. Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare në vend, çmimi i apartamenteve luhatet nga 550-800 euro/m2, kjo në varësi të zonës në të cilën ndodhen objektet. Në krahasim me 2 vjet më parë çmimet rezultojnë 10-20 për qind më të larta, ku atëherë ato ishin 500-650 euro/m2. Në fakt, qyteti më skajor i jugut të vendit është sot në fluksin më të madh të ndërtimeve, ku pothuajse të gjitha kodrat e qytetit janë të mbuluara nga ndërtesat shumëkatëshe të shërbimeve dhe banimit. Sipas të dhënave nga agjentët imobiliarë, ata që blejnë më shumë objekte banimi në këtë qytet janë emigrantët, por të shumtë në numër janë edhe vendasit që kërkojnë një apartament për sezonin veror. Ndryshe nga Vlora blerësit e huaj këtu duken më të paktë në numër, kjo për shkak të infrastrukturës ende të keqe që lidh Sarandën me pjesën tjetër të vendit dhe me Tiranën.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›