Tokat, verifikim bregdetit dhe komunave rreth Tiranës
Prefektura e Tiranës i ka vendosur prioritet verifikimit të titujve të pronësisë në zonat bregdetare si dhe në komunat që rrethojnë qytetin e Tiranës. Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, tha për gazetën se Komisioni i Verifikimit të Titujve të Pronësisë të ndarë sipas ligjit 7501 po përqendron punën në zonët bregdetare të Kavajës, si dhe në zonat nga kanë ardhur ankesat. Këto ankesa kanë ardhur kryesisht nga qytetarët e komunave të rrethojnë Tiranës si Farka apo Kashari ku mendohet se ka pasur edhe abuzime me të shumta. I kemi vënë prioritet verifikimit në zonat turistike në zonën e Kavajës. Ankesa kemi pasur edhe nga komunat që rrethojnë Tiranën që njihet ndryshe edhe si kurora e Tiranës. Deri tani ka pasur rreth 110 vendime për mosvlefshëmëri, - tha prefekti Kruja. Tokat e ndara me ligjin 7501 do të kenë një akt të ri konfirmimi, i cili do të verifikojë gjendjen e sasisë së tokës në terren si dhe do të shërbejë si një akt i ri për titullin e pronësisë të fituar me këtë ligj. Këshilli i Ministrave ka zbardhur vendimet përkatëse ku parashikohet edhe formati i aktit të ri të rikonfirmimit të titullit të pronësisë. Ky akt do të firmoset nga kryetari i Komisionit Vendor të Tokës, i cili do të bëjë hetimin në terren dhe më pas edhe nga prefekti i qarkut. Nga verifikimet e deritanishme mbi titujt e pronësisë me ligjin 7501 janë zbuluar 1 milion e 321 metra katrorë tokë të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Kjo tokë është siguruar prej komisionit të posaçëm për verifikimin e titujve të pronësisë që nga miratimi i ligjit deri në fund të muajit nëntor. Kjo sasi toke i është kthyer shtetit. Komisioni për verifikimin e titujve të pronësisë ka afat trevjeçar për mbylljen e këtij procesi, por sipërfaqet që ai i identifikon si të përfituara në mënyrë abuzive do të mund të kalojnë përfundimisht në tërësi të shtetit, vetëm pasi të marrin edhe vendimin e gjykatës. Një vit pas miratimit të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë, komisionet vendore të vlerësimit pranë prefekturave kanë shqyrtuar mbi 700 vendime.