E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tom Doshi: Rama të mos ua japë aleatëve Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Arsimit

tom-doshi-deputeti-ps-e1297087105451Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, tregon se si e majta përmbysi bastionin më të konsoliduar të së djathtës në Shqipëri, Shkodrën.

Ne kishim marrë të gjitha masat që votat të ruheshin. Kjo ishte një nga pikat kryesore që u dha besimin të gjithë mbështetësve të PS, që vota e tyre do të numërohet ashtu siç votohet, dhe kjo bëri që ne jo vetëm në komuna, por dhe në qytet, ku unë e drejtova vetë fushatën dhe aty arrita që të identifikoj dhe të takoj çdo komisioner e vëzhgues në qytetin e Shkodrës, përveç komunave. Ishin rreth 2000 persona që unë i kontaktova personalisht dhe u kam dhënë besën e më kanë dhënë besën se ne do jemi korrektë e do të numërojmë votën e PS-së. Kjo u arrit bashkë me numëruesit, pavarësisht se janë bërë presione nga ana e PD, të cilët përfaqësoheshin nga drejtorët e administratës në Shkodër, por nuk iu dha shansi për të krijuar hapësirat apo që të manipulonin votat. Për këtë arsye, fitorja ishte shumë e madhe dhe e thellë. Edhe pse me aleatë, merita është e PS, që arriti të ruajë dhe votat e aleatëve. Është hera e parë që aleatët e PS kanë marrë votat e tyre, pasi në zgjedhjet e kaluara aleatët e PS-së i janë numëruar PS-së dhe ata të PD-së i janë numëruar PD-së. Është hera e parë që vota numërohet për çdo aleat. Kjo ka qenë ndërhyrja ime direkte te numëruesit, që të bëjnë lojë të pastër, shprehet ai për gazetën Panorama.

Doshi shprehet se në Shkodër e kanë votuar shumë të djathtët.

Është e vërtetë, unë jam ndër deputetët e vetëm në Parlamentin shqiptar që kam marrë një përgjegjësi personale dhe morale. Për mua nuk është e lehtë, pasi që ditën e zgjedhjeve, njerëzit, duke marrë këtë besim, kanë filluar të më telefonojnë për problemet që kanë, për fëmijët, për familjarët që kanë nevojë për ndihmë shëndetësore etj. Kam bërë dhe një marrëveshje me Kryeministrin Edi Rama, që të gjitha premtimet që unë kam bërë në fushatën elektorale, do të jenë një garanci mes meje dhe tij që ti plotësoj ato. Nuk pretendoj asgjë për vete, unë jam misionar në politikë. Unë kërkoj që atyre njerëzve mos u dal fjale dhe dua tu përgjigjem kërkesave të tyre në çdo nivel që kanë. Këto kërkesa janë të realizueshme, si nga ana shëndetësore, ashtu dhe problemet që kanë në zonë, si për ujin e pijshëm apo ujin për vaditje, për të cilën qeveria e re ka premtuar se do ta zgjidhë, thotë Doshi.

Doshi megjithatë i ka disa rezerva për LSI-në, ndërsa i bën thirrje Ramës që të mos ia japë aleatëve Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit.

Faktin se si është bërë deputet aleati ynë i LSI-së nuk dua ta komentoj, por në heshtje çdo shqiptar e di se si LSI ka ardhur në këtë fitore, jo vetëm në qarkun e Shkodrës, por kudo. Megjithatë sot mandati është mandat dhe në politikë kanë rëndësi numrat. Ata i kanë marrë numrat e vetë dhe këtë smund ta hedhim poshtë. Unë për vete i sugjeroj kryeministrit të ardhshëm që në qarkun e Shkodrës, në administrim të ketë prioritet PS dhe jo LSI, pasi ky qark që solli përmbysjen e madhe kërkon më shumë përgjegjësi dhe përkujdesje.

Unë nuk kam asnjë pretendim për veten time, e kam thënë dhe gjatë fushatës, pavarësisht sulmeve që më ka bërë Sali Berisha, unë nuk dua asnjë ministri. E vetmja kërkesë ndaj Kryeministrit të ri është që të më përgjigjet për premtimet që unë kam bërë gjatë fushatës elektorale për të gjitha shtresat në nevojë për arsimin, shëndetësinë etj., që të zhdukim korrupsionin njëherë e mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›