Tom Sleigh: Përse u bëra poet
Poeti amerikan prezantohet në edicionin e pestë të "Poetekës"
Pyetjes se cila ishte hera e parë kur kishte shkruar diçka dhe që mendonte se ia vlente, poeti amerikan Tom Sleigh, i ftuar në "Poeteka", iu përgjigj: "Poezitë që dashuroj janë ato që ndjen se asnjëherë nuk je i kënaqur me atë që ke bërë.
Jam dakord me Pol Valerinë se një poezi nuk është kurrë e mbaruar, por e braktisur, prandaj atë që kam shkruar e quaj të pambaruar. Për herë të parë kam menduar se kam shkruar diçka në moshën 28-vjeçare. Ka 30 vjet që shkruaj. Kur botova librin e parë isha djalosh. Botuesit u entuziazmuan nga libri.
Qysh atëherë jam gjithmonë i interesuar se si do të jetë poezia ime e ardhshme dhe jam i sigurt se shumë poetë janë dakord me këtë." Ky ishte prezantimi i parë i drejtpërdrejtë që Tom Sleigh pati me publikun shqiptar, atë që e ndoqi dje pasdite vonë në Durrës, në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë.
Poeti, dramaturgu, eseisti dhe akademiku amerikan që jeton në Nju Jork, autor i "Space Walk", "Far Side of the Earth", "The Dreamhouse", "The Chain", "After One" etj., në natën e dytë të "Poetekës" në mjediset e Muzeut Historik të qytetit, recitoi disa krijime të vetat nga këto vëllime poetike. Ai kishte shkruar enkas një ese për poezinë shqipe dhe poezinë ballkanike në kuadër të një prej temave të diskutimit në festivalin "Si të zbulosh Ballkanin nëpërmjet poetëve të tij".
Takimi me Sleigh u zhvillua me dy seanca. Si fillim, pas leximit të poezive të tij, ai bëri një bashkëbisedim interesant për jetën e tij dhe kredon e vet poetike. Duke komentuar një nga krijimet e tij, "Space station", ai tha se ia kushtonte asaj që e kujtonte më shpesh, "kuzhinën e nënës sime.
Atë e mendoja si një stacion kozmik hapësinor. Kjo poezi zhvillohet në një moment kur ky stacion hapësinor ndryshon krahun e rrotullimit dhe humb qendrën e rëndesës."
Gjatë fazës së dytë të bisedës ai iu përgjigj të pranishmëve. Pyetjes se "kur keni menduar për herë të parë se jeni poet dhe se dëshironit që të ishit i tillë", ai iu përgjigj: "Nisa të shkruaj sepse nuk mund të bëja gjë tjetër. Ishte më tepër nevojë. Kur isha fëmijë, nëna dhe babai kishin një kinema shëtitëse.
Unë shkoja atje çdo natë dhe kur u ikte zëri aktorëve, më zinte gjumi. Kur filloja të dëgjoja zërin e tyre kuptova se ishte spikeri dhe kur unë nisa të shkruaj poezi m'u duk krejt familjare, pasi dëgjoja zërat dhe mundohesha që t'u qëndroja besnik atyre...dhe kështu filloi."
Tom Sleigh bëri një prezantim të etërve dhe nënave të tij letrarë, të influencave të tij poetike. Një nga të parët që ka influencuar tek ai ka qenë një libër i poetes amerikane Elizabeth Bishop.
Mitet greke, po ashtu, kanë pasur një ndikim të hershëm që në fëmijëri tek ai, edhe pa ditur gjë për Greqinë, dhe ja përse: "Arsyeja është se ime më, më lexonte për një gjueti dhe Artionin gjuetar, që për fatin e tij të keq, gjatë gjuetisë, dëgjoi zërin e dikujt, zë nëpërmjet të cilit gjeti perëndeshën Diana. Gabim vdekjeprurës! Sapo e kuptoi se e zbuluan, Diana bëri gati harkun dhe e goditi Artionin për vdekje!
Ajo me harkun e saj e vrau atë. Kjo la gjurmë tek unë. Në Amerikë kemi një sezon gjuetie që quhet "Gjuetia e Drerit". Por ajo që më bënte dikur përshtypje është se si gjuetari mund edhe të vritej dhe të shqyhej nga qentë e vet."
Tom Sleigh është vlerësuar së fundi me disa çmime të rëndësishme. Më 2008-ën ai fitoi Kingsley Tufts Poetry Award, çmim 100 000 dollarë, një Academy Award nga Akademia Amerikane e Arteve dhe Letrave. Përmendim edhe Shelley Award nga Shoqata Amerikane e Poetëve. Aktualisht ai është drejtor i Hunter College's Master e Arteve të Bukura (MFA).
Në kuadër të serisë "Evropa Lexon", Cufaj është ftuar të flasë për rolin e shkrimtarëve në Europë
Cufaj tek "Evropa lexon" në Frankfurt
Shkrimtari nga Kosova, Beqë Cufaj, është ftuar në Panairin e 61-të të Frankurtit, i cili njihet edhe si panairi më i madh i librit në botë. Në kuadër të kësaj feste të librit, pritet që rreth 7300 botues të botës nga më shumë se 100 shtete të prezantojnë botimet e tyre në 170.000 metra katrorë të kësaj hapësire gjigante, që parashikohet të vizitohet nga më shumë se 300 000 vizitorë më 14-18 tetor. E ftuar nderi është letërsia kineze, kurse vitin që vjen do të jetë Argjentina.
Në kuadër të Serisë "Evropa lexon", e cila organizohet në njërën prej qendrave më të famshme të Panairit të Librit, "Internationales Zentrum" (Qendra Ndërkombëtare) dhe bashkë me Panairin e Librit organizohet nga IFA (Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare), Beqë Cufaj është ftuar që të prezantojë Kosovën, dhe përkrah tij, në ditën e prezantimit do të jenë shkrimtari francez Alban Lafranc, autorja austriake Andrea Grill, eseisti dhe themeluesi i iniciativës "Europës t'i jepet një shpirt", holandezi Steve Austin.
Diskutimi do të moderohet nga Sebastian Körber, do të prezantohet numri më i ri i revistës "Fortschrit Europa" që botohet në gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht, e ku autorët e ftuar kanë shkruar nga një ese për mundësinë dhe rëndësinë e kulturës për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Europës. Në këtë diskutim do të zërë vend edhe tema se sa shkrimtarët munden të shkruajnë për tema të Europës.
Eseja e Cufajt e botuar në këtë revistë, mban titullin "Kultura e frikës" dhe është përqendruar tek pasojat e së kaluarës, së pari komuniste, e më pas edhe nacionaliste në hapësirën e Europës Juglindore. Autori nga Kosova, Beqë Cufaj, është botuar në më shumë se 15 gjuhë evropiane, kurse vjeshtën e vitit që vjen pritet të botohet romani i tij i ri.
Beqiri pret Redgrave-n Milot Hasimja
E qetë, por e hapur për të gjithë. Ndonëse në moshë, ajo është fine në çdo aspekt. Është fjala për aktoren e njohur në botën e filmit, Vanessa Redgrave.
Ajo i kthehet Kosovës pas një periudhe 10-vjeçare, tashmë si presidente e bordit të "PriFilmFest". Në 24 orët e para të ardhjes, Radgrave u takua me ministrin e Kulturës, Valton Beqiri, dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
Beqiri i dha Redgarve një mirënjohje dhe e falënderoi për sensibilizimin e çështjes së Kosovës në opinionin botëror, për humanizmin ndaj fëmijëve dhe refugjatëve kosovarë, për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm të artistëve kosovarë.
Por, Beqiri u shtang kur në drejtim të tij erdhi pyetja se cili ka qenë filmi i fundit që ai e ka parë, e ku luan aktorja Vanessa Redgrave.
"S'po m'kujtohet çfarë filmi kom pa së fundi, sepse ka qenë shumë kohë më parë", - tha Beqiri pas pyetjes.
Redgrave është fituese e një çmimi Golden Globe dhe një çmimi Oscar, ndërsa është nominuar edhe për dhjetëra herë në disa festivale. Ajo ka luajtur në më shumë se 50 filma e shfaqje teatrale.
Por, Beqiri ka falënderuar Redgrave për riardhjen e saj pas vizitës që i kishte bërë në vitin 1999 Kosovës, ku edhe kishte organizuar festivalin "The Returns".
Beqiri, madje, i ka bërë Redgravit edhe një prezantim të flamurit të Kosovës.
"Shpresoj se tash pas sa vitesh të ardhjes suaj në Kosovë, po e shihni që në Kosovë po fillon edhe një festival i ri, të cilin ne e kemi parë të arsyeshme ta përkrahim dhe duke shpresuar se aktivitetet e tilla të ngjashme me njerëz të mëdhenj do të jenë në favor të zhvillimit të kinematografisë", - tha ministri Beqiri.
Radgrave ka potencuar se ka kohë që mendon të vijë në Kosovë, por që angazhimet e saj në vende të ndryshme të botës kanë bërë të pamundur ardhjen për disa vjet.
"Ka pasur shumë ngjarje për mua që kanë ndodhur këto vite dhe jam munduar të bëj atë që kam mundur në pjesë të tjera të botës", - tha Redgrave. Redgrave i është përgjigjur pyetjes pse ka vendosur që në vitin 1999 t'i ndihmojë refugjatët e Kosovës.
"Ka qenë një e padrejtë e madhe internacionale që është bërë ndaj Kosovës në atë kohë dhe thjesht si një qytetare që jam rritur të mendoj drejt, e kam parë si detyrë për të bërë diçka të vogël për dikë dhe të bëj drejtësi për dikë", - tha Redgrave.