Vdes punëtori, arrestohet pronari i vinçit
TIRANË- Një punëtor ka gjetur vdekjen në momentet që po saldonte në një pjesë të një vinçi. Sipas Policisë së kryeqytetit, Fredi Jaku, 40 vjeç, nga qyteti i Shkodrës, ka mbetur i vdekur, pasi është shtypur nga një vinç në Rrugën "Bathore- Zall- Herr.
Burimet e policisë pohuan dje se 40- vjeçari ka qenë duke salduar, kur një pjesë e vinçit është shkëputur duke e zënë poshtë, dhe duke i shkaktuar në këtë mënyrë vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje, efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 5 kanë arrestuar pronarin e vinçit, 50- vjeçarin Bari Babaj, lindur dhe banues në Shkodër, i cili akuzohet për veprën penale të "shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë".
Viktima ishte punësuar nga Babaj, si saldator dhe vinçi ku ndodhi ngjarja ishte në pronësi të tij. Dëmtimet që ka pësuar 40- vjeçari Jaku, banues në qytetin e Shkodrës kanë qenë të rënda, duke mos i lënë atij asnjë shpresë për të jetuar.
Konflikti i pronësisë, sëpatë kokës fqinjit
TIRANË- Një konflikt për pronën i nisur nga dy bashkëfshatarë të Komunës Dajt, ka përfunduar në plagosjen e njërit prej tyre, ngjarje kjo e ndodhur gjatë ditës së hënë. Nezir Ahmeti, 63 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dërshen dyshohet se është qëlluar me sëpate nga bashkëfshatari tij, Ibrahim Hurdha, për një konflikt pronash.
Sipas policisë, Ahmeti ka pësuar disa dëmtime nga goditjet me sëpatë dhe menjëherë është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku pas mjekimit që ka marrë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar efektivat e policisë të cilët kanë arrestuar në flagrancë 63- vjeçarin Ibrahim Hurdha, si autor i dyshuar i plagosjes së të moshuarit. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarit, policia ka gjetur një armë zjarri karabinë, të cilën e mbante pa leje. Hurdha akuzohet për veprat penale të "plagosjes së lehtë me dashje" dhe "armëmbajtjes pa leje".
Kanos me armë një person arrestohet
TIRANE- Kërcënon me armë një person pas një konflikti për motive të dobëta dhe përfundon në prangat e policisë. Sipas burimeve të policisë, mësohet se Market Ndoi, 22 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, dyshohet se ka kanosur me armë zjarri duke qëlluar në ajër, Nikollë Cumrakun, 41 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur në Rrugën "Gjergj Legisi", ku pas njoftimit që kanë marrë efektivat e Policisë së Komisariatit nr. 3 kanë bërë të mundur dhe arrestimin e 22- vjeçarit Market Ndoi. Ndërkohë, pas arrestimit, blutë e kryeqytetit kanë marrë në pyetje të riun, për të mësuar motivet që e kanë shtyrë të përdorë armën për të kërcënuar 41- vjeçarin. Ndoi akuzohet për veprat penale të "kanosjes" dhe armëmbajtjes pa leje".