E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Ja fondi që duhet të kthejnë partitë e vogla

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje fondin që partitë joparlamentare duhet të kthejnë në favor të partive fituese


TIRANË - Komisioni Qendror Zgjedhor hap dritën jeshile për kthimin e fondit të përfituar nga partitë, që nuk kanë fituar asnjë mandat deputeti në Kuvend, përmes një vendimi të marrë dje nga anëtarët e këtij institucioni.


Fondi që parashikon kthimin e 12 728 006 milionë lekëve do t'u shpërndahet partive parlamentare në bazë të përqindjeve që këto parti kanë fituar në Kuvend.


Afati përfundimtar për kthimin e parave do të përcaktohet nga Ministria e Financave, e cila do të merret edhe me procesin në fjalë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar në të njëjtën kohë edhe propozimin e një prej anëtarëve, Pandeli Varfi, për moskthimin e parave nga partitë që kanë konkurruar në koalicion, por që nuk kanë marrë asnjë mandat deputeti në Parlament.


Mbledhja


Komisioni Qendror Zgjedhor zhvilloi dje mbledhjen për shqyrtimin e projektaktit "Për kthimin e fondit të përfituar nga partitë, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në Kuvend dhe rishpërndarjen e tij partive, të cilat kanë fituar mandate në zgjedhjet për Kuvendin 2009".


Pasi morën në shqyrtim dokumentacionin e paraqitur, si dhe dëgjuan diskutimet e përfaqësuesve të partive politike, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vendosën që partitë politike të kthejnë shumën e përfituar sipas Kodit Zgjedhor. Më pas, ky fond i kthyer duhet t'u rishpërndahet partive parlamentare, në raport me përqindjet e fituara në Kuvend.


Propozimi


Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi, propozoi që paratë të kthehen vetëm nga partitë që kanë dalë vetëm në zgjedhje dhe që nuk kanë përfituar asnjë mandat deputeti. Sipas Varfit, të gjitha partitë që kanë garuar në bazë koalicioni, nuk duhet të kthenin paratë, pasi fondet e tyre kanë shkuar për partinë më të madhe, PD dhe PS.


Ky propozim është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesi i PD-së në këtë komision, Njazi Kosovrasti, i cili sqaroi se partitë duhet t'i zgjidhin vetë problemet brenda koalicionit.
"Kontributet dhe koalicionet janë jashtë kësaj mbledhjeje. Ne merremi me mandatet", - shtoi ai.


Edhe kolegu i Varfit, Hysen Osmanaj, tha se kjo çështje nuk lë vend për diskutime, pasi çdo parti ka bërë fushatë dhe fushata bëhet për të marrë vota. Për pasojë, propozimi i Pandeli Varfit është rrëzuar nga KQZ-ja me katër vota kundër dhe një votë pro.


Partitë që detyrohen të kthejnë paratë

Partia Social Demokrate e Shqipërisë 5.136.667 lekë
Partia Agrare Ambientaliste 2.644.556 lekë
Partia Aleanca Demokratike 1.920.479 lekë
Partia Demokracia Sociale 1.711.151 lekë
Partia Demokristiane 1.315.153 lekë

Partitë që përfitojnë kompensim

Partia Demokratike e Shqipërisë 6.182.174 lekë
Partia Socialiste e Shqipërisë 5.909.431 lekë
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 363.657 lekë
Partia për Drejtësi dhe Integrim 90.914 lekë
Partia Republikane 90.914 lekë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 90.914 lekë

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›