E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top Fest 7

Për herë të parë këngëtarët dhe orkestra do të interpretojnë ‘live’ në Pallatin e Kongreseve. Publiku do të shikojë jo vetëm një konkurrim muzikor, por një spektakël të vërtetë në të gjitha elementet e tij. Me një investim të madh në teknologjinë moderne, “Top Fest 7” do të xhirohet dhe transmetohet në full HD Një finale magjike, e gjitha ‘live’

Vetëm pak orë na ndajnë nga finalja e madhe e “Top Fest” që do të mbahet sot në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve. Në këtë sallë gjithçka është në lëvizje. Stafi është i gjithi i angazhuar për të plotësuar detajet e fundit dhe për të sjellë një spektakël të madh. Edicioni i shtatë vjen me risi të mëdha për sa i përket interpretimit, teknologjisë dhe transmetimit të festivalit të vetëm të muzikës moderne shqiptare. Për herë të parë, këngëtarët do të këndojnë “live” në “Top Fest”, shoqëruar po ashtu nga një orkestër e madhe që do të interpretojë po ‘live’. Organizatorët janë kujdesur që gjithçka të jetë në parametrat më të lartë teknik, ndërsa sprova u takon vetë këngëtarëve për të dhënë më të mirën e tyre. I pyetur për këtë zgjedhje, regjisori Ergys Lubonja shprehet se kjo ishte një ide e menduar prej vitesh. “Në këtë “Top Fest’ për herë të parë këngëtarët dhe orkestra do të interpretojnë ‘live’. Menduam që ka ardhur koha t’u jepen vlera këngëtarëve të vërtetë dhe besuam se “Top Channel” mund t’ia dilte mbanë për t’i dhënë mundësi publikut të dëgjojë këngëtarë të vërtetë dhe jo këngëtarë të studiove me kompjuter. Sigurisht që nuk është një ndërmarrje e lehtë, mbart një risk në vetvete, por ka edhe avantazhin e përcjelljes direkte të emocioneve te publiku dhe, nga ana tjetër, e merr sërish në mënyrë të drejtpërdrejtë reagimin e tij”, shprehet regjisori Lubonja. Gjysmëfinalja ishte një formë testi dhe një barometër matës për publikun, i cili nuk vlerëson tashmë vetëm këngën, por këngëtarin dhe mënyrën si këndon ai ‘live’. “Kjo është një risi jo vetëm për ‘Top Fest’-in, për ‘Top Median’, por për muzikën shqiptare të këtyre 20 viteve të fundit. Para viteve ’90 në këtë skenë është interpretuar gjithnjë ‘live’. Ndryshimi i sistemit solli një muzikë të re, me të cilën tregu shqiptar po operon edhe sot. Deri më tani nuk është tentuar që festivalet të bëhen ‘live’, ndoshta sepse sistemet teknike, kushtet, informacioni për muzikën moderne ishte i paktë. Nuk është e lehtë të realizosh ‘live’ një aktivitet të madh të muzikës, sepse bëhet fjalë për sisteme teknike të modernizuara, instrumentistë që mund të perceptojnë muzikën moderne e ta luajnë atë. Për fat të mirë “Top Channel” do t’i japë mundësinë publikut ta shijojë ‘live’ muzikën moderne shqiptare. Nëntëmbëdhjetë finalistët që do të ngjiten sot në skenë janë të gjithë pretendentë për çmimin e madh të “Top Fest”, që ka vlerën e 2 milionë lekëve të reja. Por nata finale, e prezantuar nga dyshja Albana Osmani dhe Ledion Liço, nuk do të jetë vetëm një garë mes këngëtarëve, por një spektakël i vërtetë. “Top Channel” ka vënë në dispozicion kapacitetin më të madh teknik për këtë edicion, ndërkohë që festivali do të xhirohet dhe transmetohet në full High Definition 2 në kanalin 3. “Nata finale është konceptuar jo vetëm si konkurrim, por një spektakël i kompletuar në të gjithë elementet artistike. është punuar që çdo këngë të jetë një performancë më vete: grafika, ndriçimi, baletet, efektet speciale. Gjithçka do të jetë në lëvizje. Do të jetë jo vetëm një spektakël i këngës, por edhe i imazhit. Publiku do ta shohë sallën e Pallatit të Kongreseve si asnjëherë më parë”, thekson regjisori Ergys Lubonja. Ndërkohë që drejtori artistik i festivalit, Dorian Gjoni, e sheh të gjithë këtë investim të “Top Channel” si një përkthim i asaj që vetë “Top Fest” është në të vërtetë, një spektakël modern. Organizatorët kanë ruajtur traditën e vjetër të këtij festivali, ku sot, përveç çmimit të madh, do të ndahen nga bordi artistik i “Top Fest” 10 çmime për kategori të ndryshme. Për herë të parë, në kujtim të themeluesit të “Top Medias”, Dritan Hoxhës, do të jepet edhe një çmim që do të mbajë emrin e tij. Publiku do të ketë mundësi të votojë gjatë gjithë mbrëmjes përmes numrit të telefonit 15192 duke shkruar TF7(hapësirë) dhe emrin e këngëtarit të preferuar. Votat e publikut do t’u bashkohen votave të jurisë profesioniste të “Top Fest” në përbërje të së cilës është Alban Dudushi në cilësinë e kryetarit, Arbana Osmani, Alban Nimami, Xuxi dhe Alban Skënderaj si anëtarë, në bazë të të cilave do të zgjidhet edhe fituesi i çmimit të madh të festivalit. Skenografia dhe teknika e përdorur për ndriçim do të jenë të tjera elemente që do të bëhen pjesë e atmosferës festive të këtij spektakli. Investimi më i fundit është një ‘led wall’ i madh, të cilin skenografi Fatmir Minga e ka kombinuar me gjithë elementet e tjera për të sjellë një skenografi të veçantë, ku brenda skenës së madhe do të ketë disa skena të vogla. Gjithçka e menduar dhe e realizuar në teknologjinë më moderne. Festa është gati të fillojë!

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›