Artistë të huaj dhe shqiptarë, në skenën e arteve për Woyzeck
Në skenën e Akademisë së Arteve në datën 27 maj regjisori gjerman Stefan Neugebauer do të sjellë një vepër teatrore, e cila do të interpretohet jo vetëm nga aktorë shqiptarë, por dhe italianë, gjermanë dhe francezë. Nën titullin Woyzeck premiera teatrore vjen
për publikun në këtë sezon, ku skena e arteve ka qenë e pushtuar nga shfaqjet dhe jo vetëm teatrore. Vepra Woyzeck vjen në skenën shqiptare, si një bashkëprodhim midis katër vendeve. Emri i tij është Woyzeck (Vojcek) dhe është shqiptar, kjo ka ardhur pasi Stefan Neugebauer, regjisori i dramës që mban për titull emrin e protagonistit, i ka zhvendosur ngjarjet nga Gjermania e gjysmës së parë të shekullit të 19-të në Shqipërinë e sotme. Vepra e dramaturgut dhe shkrimtarit Georg Buchner shfaqet premierë më 27 maj në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, për të vijuar dhe në datat 29 dhe 30 maj. Kjo vepër do të vijë ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim në skenën e Akademisë së Arteve, për vetë faktin se ajo do të mbledhë aktorë nga shtete të ndryshme, të cilët janë jo pak të njohur në skenën botërore. Rëndësia e prurjes së saj në skenë qëndron dhe pasi ajo angazhon disa të rinj që janë studentë të arteve. Ky autor gjerman vjen për herë të dytë në Tiranë me një tjetër vepër të tij, pasi një dekadë më parë ai erdhi me veprën teatrore Vdekja e Dantonit, që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar. Vepra e dramaturgut të njohur gjerman vjen me përkthim të Ardian Klosit, i cili tashmë njihet në fushën e përkthimit. Dramaturgu i njohur Buchner jetoi pak (1813-1837), u angazhua në mendimin politik. U shkollua për mjekësi, por prirja e tij ishte letërsia, dramaturgjia, gjuhët moderne dhe përkthimi. Ndryshe nga jeta e shkurtër, vepra i pati rrugë të gjatë dhe Georg Buchner shihet si autor me ndikim të veçantë në rrymat e natyralizmit dhe ekspresionizmit në letërsi. "Woyzeck" është vepra e tij më e famshme të cilën e la pa përfunduar. Quhet "e para vepër letrare gjermane karakteret kryesore të së cilës i përkasin klasës punëtore". U botua pas vdekjes, dhe në bazë të saj Alban Berg shkroi operën "Woyzeck" (1925). Personazhi kryesor, Woyzeck, është një i ri shqiptar, një mjeshtër mbijetese, i cili mban veten dhe familjen e tij duke bërë punë të ndryshme në një kazermë ushtarake. Ai e siguron jetesën duke punuar si një ushtar i thjeshtë, rruan një kapiten italian dhe vihet në dispozicion të një mjeku francez për eksperimente mjekësore. Ai përpiqet të bëjë më të mirën. Ai e do jetën, gruan e tij dhe fëmijën e paligjshëm që kanë bashkë. Por kur një major nga Gjermania viziton kazermën, bota e Woyzeck del jashtë kontrollit. Maria mahnitet menjëherë pas majorit gjerman. Ai mishëron burrërinë, pavarësinë dhe statusin e lartë shoqëror-atë çka Woyzeck nuk mund të ofrojë. Kush mund ta fajësojnë Marien nëse bie në dashuri me majorin? Majori kërkon vetëm një aventurë për të ëmbëlsuar qëndrimin e tij zyrtar në Shqipëri, para se të vazhdojë turin e tij në Ballkan. Woyzeck-ut i duhet të përjetojë, se si Maria dëfrehet duke kërcyer me majorin. Dhe kur ai vjen natën vonë në shtëpi, majori është tashmë me Marien në dhomën e gjumit. Woyzeck humbet kontrollin. Mos duhet vallë të vrasë Marien? Të vrasë veten? Apo duhet të vrasë majorin? Si mund të vazhdojë të jetojë? Me lekët e fundit që i kanë mbetur ai blen një thikë dhe vret Marien. Përlyer në gjak ai kthehet në kazermë. Kur të tjerët kthehen e shohin gjakun, kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Kjo shfaqje është një bashkëpunim midis Ambasadës Gjermane, Franceze dhe Italiane. Në vepër interpretojnë Irgen Çela (Vojcek), Suela Çerri (Maria), Gerolamo Fancellu (Kapiteni), Frantz Helmer (Doktori), Folke Paulsen (Majori), Marjan Deda (Muzikanti), Emiljano Palali (Andres), Laura Nezha (Margret). Muzika është kompozuar nga Marjan Deda, skenografia një realizim nga Edlira Bozo, asistent regjisor Florand Veizi.
Last Updated on E Shtune, 22 Maj 2010 19:26