E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobiten 10% e biznesit të madh, nuk kishin kasa

Aksioni Subjektet private në Fier ndëshkohen për herë të dytë. Ka ankesa

Drejtoria e Tatim–Taksave Fier ka penalizuar për herë të dytë 95 biznese të mëdha për mungesën e kasave fiskale. Edhe pse afati i fundit për pajisjen e kasave për biznesin e madh tashmë ka kaluar, rreth 10 për qind e tyre ende nuk i kishin instaluar. Këto biznese janë gjobitur një herë më parë në muajin shkurt, e më pas rigjobitur sërish gjatë mesit të muajit maj për të njëjtën arsye. Sipas bizneseve të penalizuara, faji vazhdon të jetë te distributorët dhe vetë shteti, i cili nuk kryen kontrollin e shitjes së kasave nga shoqëritë e autorizuara për shitjen e tyre. Distributorët vijojnë të abuzojnë me çmimin e kasave, duke e rritur atë deri në 40% më shumë se vlera reale.

“Në muajin dhjetor, që ishte afati i fundit i pajisjes me kasat fiskale, çmimi i tyre ishte nga 350-400 euro, ndërsa çuditërisht nga muaji shkurt ky çmim është rritur vazhdimit, duke variuar nga 600-700 euro. Kjo ka qenë arsyeja që ne nuk jemi pajisur deri tani. Na thonë që nuk ka kasa për momentin dhe pritet furnizimi, pasi janë ‘nën dorë’ dhe kanë çmimin e lartë. Kështu ne kemi preferuar të presim ardhjen e kasave të reja por...”, tha një sipërmarrës supermarketi në Fier.

Afati zyrtar për pajisjen me kasa fiskale ka qenë 31 dhjetori i vitit 2009, ndërkohë që në fillim të muajit janar vetëm 10 për qind e bizneseve ishte pajisur me to. Tashmë shqetësimi për pajisjen me kasat fiskale do të jetë edhe për biznesin e vogël, afati për të cilët do të jetë 30 qershori i vitit 2010. Aktualisht në Fier numërohen 970 biznese të mëdha, ku 95 prej tyre u bënë pjesë e ndëshkimit me gjoba që variojnë nga 25 mijë, deri në 100 mijë lekë të reja. Të dhënat që vijnë për pajisjen e biznesit të vogël me kasa fiskale janë tronditëse. Kur ka mbetur vetëm një muaj kohë nga afati përfundimtar, mbi 80% e biznesit të vogël ende nuk e ka siguruar kasën fiskale që tashmë imponohet me ligj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›