E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli I ftoj deputetet e opozites qe te kryejne detyren e tyre kushtetuese

UPDATE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka refuzuar t’u përgjigjet akuzave të opozitës lidhur me kompleksin e ri Parlamentar.

Duke i barazuar ato me terësinë e shpifjeve dhe trillimeve kundër të vërtetës dhe fakteve, për shkak të të cilave sipas kryeparlamentares shqiptarët, edhe qytetarët e Tiranës e përzunë zotin Rama nga Bashkia

Topalli ka marrë në mbrojtje gjykatën zgjedhore e cila, sipas saj është trajtuar me dy standarde nga Edi Rama.

“Mister 20-përqindëshi sulmon gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor sepse ata nuk mund t’i përgjigjen, dhe harron një gjë: se këta gjykatës, kur zoti Rama kishte të drejtë, i kanë dhënë të drejtë, ashtu si këta gjykatës, kur zoti Rama nuk ka të drejtë, do të zbatojnë ligjin, do të zbatojnë të drejtën.

Meqenëse ata nuk mund t’i përgjigjen shpifjeve të tij, unë mendoj se ne si Kuvend, si parlamentarë, dhe unë, si Kryetare Kuvendi, duhet të themi të vërtetën, duhet t’i themi atij se shpifjet, haluçinacionet tuaja nuk e ndryshojnë faktin se tiranasit dhe shqiptarët të kanë përzënë nga Bashkia e Tiranës”, tha ajo.

Haluçinacione sipas Topallit, janë pikërisht akuzat për blerjen e gjyqtarëve me miliona euro për çdo vendim që kanë marrë kundër Ramës.

“Mister 20-përqindëshi prej vitesh ka ecur vetëm në bazë të një doktrine, të doktrinës të 20-përqindëshit, të doktrinës së ryshfetit, të doktrinës së frikësimit, të frikës dhe të kërcënimit, dhe mendon se kështu mund të realizojë qëllimet e tij edhe ndaj drejtësisë dhe gjyqësorit. Janë sulme jofatlume, sepse nuk e ndryshojnë faktin dhe të vërtetën që ty të kanë përzënë nga bashkia, se shqiptarët të kanë refuzuar dhe, sa herë që t’i do të përdorësh anti-parlamentarizmin, shqiptarët do të të refuzojnë edhe më shumë, sa herë që do të vazhdosh me doktrinën antishtet, shqiptarët do të të refuzojnë edhe më shumë”, shtoi ajo.

Topalli, e cila gjatë gjithë kësaj periudhe ka zgjedhur të heshtë, shfrytëzoi këtë dalje para foltores së Kuvendit, që të ftojë socialistët në seancën e fundit të Parlamentit javën që vjen.

“Si kolegë që i kam, i ftoj deputetët e PS-së të jenë të pranishëm në Kuvend edhe me votën e tyre.

I ftoj të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese, të përfaqësojnë votuesit e majtë, i ftoj të vijnë dhe të votojnë, sepse është një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i ftoj që t’i bashkohen mazhorancës në reformat për të arritur objektivat e mëdha kombëtare”, theksoi ajo.

Në fund, Topalli shprehu mirënjohje për deputetët e mazhorancës të cilët votuan përgjatë gjithë kësaj kohe vazhdimin e rritjes së rrogave, e pensioneve dhe stabilitetin makroekonomik.

“Ndonëse pa opozitën, - tha ajo, - janë votuar një sërë reformash, falë të cilave Shqipëria po përjeton momentet e saj më të mira”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›