E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-Kardinali Dziwisz: Shqipëria model unik i harmonisë fetare

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi të mërkurën një takim me Kardinalin Stanis³aw Dziwisz, krahu i djathtë dhe ish- sekretari personal i Papa Gjon Palit të II, si dhe një nga Kardinalët me shumë influencë në Vatikan.

Kardinali Stanis³aw Dziwisz ndodhet në Shqipëri në kujtim të një çasti historik për shqiptarët, 20 vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit në vendin tonë.

Kryetarja e Kuvendit e cilësoi emocionuese dhe nostalgjike vizitën e Kardinalit Dziwisz. "Unë, si të gjithë shqiptarët nuk e besonim dot kur në Otranto, disa dekada më parë, Papa i drejtohej shqiptarëve. Vizita e tij ishte shenja e parë e shpresës. Të tilla momente bëjnë histori. Fjalët e tij "Mos kini frikë” ishin të shenjta dhe i dhanë shqiptarëve shpresë e besim", tha Topalli.

Nga ana e tij, Kardinali Stanis³aw Dziwisz tha se "vizita e 20 viteve më parë kishte një rëndësi të veçantë edhe për vetë Papa Gjon Palin II. Ai kurrë nuk e harroi Shqipërinë dhe ishte shumë i ndjeshëm ndaj vendit tuaj”. Sipas tij, Shqipëria ka pësuar një transformim rrënjësor që shihet kudo.

Kryetarja Jozefina Topalli dhe Kardinali Stanis³aw Dziwisz biseduan për modelin unik që Shqipëria përcjell për mbarë botën, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare. "Shqipëria është një shembull i rrallë që i përcjell Europës dhe mbarë botës se si bashkëjetohet në harmoni mes feve. Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme me të cilën jo vetëm krenohemi, por që përbën një aset shumë të çmuar të civilizimit dhe të mentalitetit perëndimor të shqiptarëve”, tha Topalli.

Ndërkohë ditën e nesërme, Kardinali Stanis³aw Dziwisz do nderohet me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›