E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i pasurisë së gjykatësit të dekretuar, dhurata qindramilionëshe

fatos-lulo-gjykatesTiranë- Fatos Lulo është një nga tre rastet e dyshimta të sjella në vemendje vitin e kaluar nga kreu i LDKP-së Adriatik Llalla gjatë një interviste televizive marsin e 2012-ës. Në një artikull të disa muajve më vonë të agjensisë Balkan Investigativ Riporting Netuork shpjegohen edhe dyshimet e Inspektoriatit të Kontrollit të Pasurive, të cilat lidhen me pasurinë e Lulos dhe argumentimin e saj.

Sipas artikullit të BIRN dhe të botuar edhe në gazetën Shqip, Lulo u diplomua si jurist në Universitetin e Tiranës herët në vitet 80 dhe shërbeu si jurist në zyrën e Kryeministrit Adil Çarçani, si dhe në Ministrinë e Punës.

Nga viti 1994 deri më 1999, hapi një zyrë avokatie në Tiranë. Sipas biografisë së tij, më 1999 emigroi në Kanada ku punoi si jurist në zyrën e Emigracionit të Kanadasë para se të kthehej në Tiranë më 2002 si avokat. Më 2003 u zgjodh në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ai vijoi karrierën si avokat deri më 2006 kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë pa patur me parë eksperiencë si gjyqtar. Si zyrtar i administratës publike, Lulo u detyrua të deklarojë pasurinë dhe të ardhurat që nga viti 2003.

Në deklaratën e parë të pasurisë më 2004, Lulo shënoi se kishte nën pronësi një apartament në Tiranë me vlerë 68 mijë euro të blerë me kursime personale dhe nga shitja e një shtëpie tjetër. Ai kishte gjithashtu një apartament në ndërtim në Kanada me vlerë 100 mijë euro dhe një zyrë me vlerë 95 mijë euro, të gjitha të blera me fitimet e punës së tij si avokat.

Lulo deklaroi se kishte një llogari bankare në Toronto të Kanadasë me vlerë 400 mijë dollarë kanadezë, (324 mijë euro), të cilat i kishte fituar gjithashtu si emigrant. Zyra e tij avokatore në Shqipëri ishte regjistruar si biznes i vogël me të ardhura më të ulëta sesa 8 milionë lekë, (58 mijë euro) në vit, por rezulton se i dha atij afro 195 mijë euro brenda pesë viteve nga 1994 deri më 1999.

Problemi me këto shifra është se ai gjatë kohës që punonte si avokat nuk deklaroi kurrë të ardhura më të larta sesa 1.2 milionë lekë në vit, (8700 euro), shkruan BIRN. Deklarata se ai kurseu 400 mijë dollarë kanadezë në tre vjet punë në Shërbimin e Emigrimit në Kanada, sipas raportimit te BIRN, krijoi gjithashtu dyshime. Pagat për punonjësit publikë si juristë në Kanada janë mesatarisht 60 mijë dollarë kanadezë në vit. Më 2005-ën, ndërsa ishte ende avokat, Lulo deklaroi se i ka kthyer të motrës, Drita, një kredi me vlerë 480 mijë dollarë amerikanë. Ndërkohë, më 2008-ën, gjykatësi mori një dhuratë nga e motra me vlerë 100 mijë dollarë dhe në vitin 2009, mori një dhuratë tjetër po nga e motra, gjithsej 172 metra katrorë zyrë në Tiranë, e cila vlen rreth 200 mijë euro.

I pyetur nga BIRN për të shpjeguar diferencat e stërmëdha mes kursimeve gjatë punës si avokat në Toronto dhe Tiranë dhe të ardhurave të deklaruara apo arsyet se pse motra i bënte dhurata kaq të mëdha, gjykatësi refuzoi të përgjigjet.

Motra e Lulos, Drita, është një inxhiniere që punon për një kompani ndërtimi të quajtur Teknoprojekt. Mbetet e paqartë nëse motra e Lulos ka burime të tjera të ardhurash përveç pagës së saj. Ndërkohë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i pati thënë BIRN-it në 2012-ën se deklaratat e dhuratave apo kredive me interes zero për zyrtarët e lartë janë një çështje shqetësuese.

Marrë nga Top Channel

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›